Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku u mbyllën struktura paralele të Serbisë që kanë operuar në zonën e Dukagjinit.
Sveçla ka thënë se koha e paligjshmërisë ka përfunduar.
Ai e ka përsëritur se institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës, do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.
“Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj. Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, ka shkruar ai në Facebook.