Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë se ende nuk është koha të bisedohet për pozitën e presidentit.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se bashkë me LDK-në do të kenë kohë të mjaftueshme të bisedojnë për këtë pozitë.
“Nga LDK nuk kemi marrë këso lloj kërkese për pozitën e presidentit. Nuk e di nesër a do të ngritët si çështje apo jo. Nesër do të bisedojnë për zgjedhjet e 6 tetorit. Mendoj që nuk është koha të bisedohet për këtë post. Bashkëpunimi i partnerëve do të jetë i vazhdueshëm, ne do të diskutojmë në vazhdimësi”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se figura e presidentit duhet të jetë unifikuese dhe duke u mbështetur në këtë pikë duhet të mendohet pas dy vitesh.
“Figura e presidentit është një figurë unifikuese dhe mbi këto duhet të mendohet pas dy vitesh. Ne besojmë në një qeverisje dinamike që do të prodhojë situata të reja në të cilat do të ketë hapësirë të flasim me partnerët tanë, përfshirë edhe çështjen e dialogut. As çështja e presidentit nuk dallon nga këto çështje, do të ketë kohë të mjaftueshme të bisedojmë”, ka thënë ai.
Ai tutje ka shtuar se nuk mund të spekulojë nëse tema e pozitës së presidentit mund të jetë pika e cila i ndan këto dy parti.
“Edhe Kurti edhe Mustafa janë takuar më herët dhe nuk është biseduar kjo çështje. Nuk ka arsye të futet pozita e presidentit në marrëveshje nëse nuk po diskutohet”, ka thënë ai.
Duke folur për takimin mes Mustafës e Kurtit, ai ka thënë se do të bisedohet për temat të cilat nuk kanë marrë pajtueshmëri nga grupet punuese të të dyja partive.
“Pasi që grupet punuese kanë përfunduar takimet për dakordimin e programeve, ka ardhur koha që dy liderët e subjekteve më të mëdha të flasin për temat që në grupet punuese nuk ka pasur pajtueshmëri”, ka thënë ai.
Sveçla ka thënë se është çështja e dialogut e tema të tjera të cilat do të sqarohen në këto takime dhe ato të ardhshmet.
“Ndarja e ministrive vendoset nga dy krerët e partive. Sipas informatave të mija vetëm Kurti e Mustafa do të jenë pjesë e takimit të nesërm”, ka thënë ai.
Duke folur për preferencat për udhëheqjen e ministrive, ai ka thënë se ndarja e tyre do të bëhet në bashkëpunim me partinë e cila do të bashkqeverisë me ta.
“Ne do të donim të udhëhiqnim me të gjitha dikasteret, por kjo është e pamundshme. Qeveria e ardhshme do të jetë pjesë e koalicionit të dy e më shumë partive. Me rëndësi është që secili subjekt ka kapacitete me udhëheq me dikastere veç e veç. Qeverisja e ardhshme do të jetë një qeverisje plotësisht ndryshe prej atyre që kemi parë deri tash”, ka thënë ai.
Ai thotë se kanë bërë publike preferencat me cilat ministri duan të qeverisin, por se thotë se do të vendoset në takimet me partnerët.
“Qëndrimi jonë është që së pari të merremi vesh me LDK-në e pastaj të diskutojmë me të tjerët. Kurti do të jetë kryeministër i të gjithë ministrave dhe aparatit shtetërorë. Kurti do të mund të shkarkojë edhe ministrat e LDK edhe VV duke u bazuar në performancën e tyre”, ka thënë ai.