Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë të premten gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Siguri, se sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri janë si rezultat i shtrirjes së ligjshmërisë atje, dhe ndaljes së kontrabandës, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, brenda 10 ditësh, Policia kufitare e Kosovës është sulmuar gjashtë herë.
“Brenda 10 ditësh Policia e Kosovës është sulmuar gjashtë herë dhe këto veprime konsiderojmë se janë nxitur për shkak të shtrirjes së ligjmërisë në atë pjesë. Këto sulme mbi të gjitha kanë prapavijë tjetër që synojnë të shkaktojnë panik në vendin tonë e te qytetarët dhe të destabilizojnë vendin”, tha Sveçla.
Sveçla ka thënë se është rritur edhe aktiviteti hetues në ato zona, duke thënë se gjatë vitit 2021 janë shkatërruar 50 grupe kriminale në Kosovë, nga rreth 1,000 operacione.
“Është e vërtetë që sulmet ndaj Policisë së Kosovës kanë sjell një ndjenjë pasigurie tek qytetarët atje. Angazhimi i suksesshëm i Policisë së Kosovës ka bërë që të kemi një situatë stabile. Policia në çdo cep të Kosovës është për të mbrojtur ligjshmëri dhe për të siguruar qytetarët pa kurrfarë dallimi”, ka thënë ai.
Më tutje, ministri tha se policia po ballafaqohet me vështirësi të mëdha.
“Policia e Kosovës ballafaqohet me vështirësi që janë të mëdha, shumë shpesh të paarsyeshme, por ne po bëjmë çdo gjë që është e mundshme që ato t’i tejkalojmë:, deklaroi ai.