Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka deklaruar se ka një mobilizim të ushtrisë dhe xhandarshmërisë serbe, por beson se nuk do të ketë ndërhyrje në veri të vendit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Sveçla ka theksuar se nëse diçka e tillë ndodh, Kosova ka institucionet e saj që janë të gatshme të mbrojnë sovranitetin dhe t’i dalin zot vendit.
“Retorika nacionaliste serbe, në raport edhe me Kosovën, nuk ka ndryshuar nga vitet 80′ dhe 90′, ka një intensifikim të saj kohët e fundit. Një retorikë helmuese, me të cilën Vuçiq mundohet të arsyetojë veprimet e saj dhe të tërheqë vëmendjen e popullatës së Serbisë nga problemet e tyre. Ka mobilizim të ushtrisë, ka edhe mobilizim të xhandarshmërisë dhe policisë, kjo na bën që të jemi më të kujdesshëm dhe vigjilent, por jo të frikësuar”, është shprehur Sveçla.
Kosova është e pavarur, ka institucionet e saj që janë të gatshme që ta mbrojnë edhe sovranitetin, edhe integritetin territorial të Kosovës. Jam i bindur që nuk bëhet fjalë për ndonjë inkursion të ushtrisë apo policisë serbe në Kosovë. Por ne jemi të gatshëm që t’i dalim për zot vendit tonë. Kemi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-ve”, theksoi ai.
Sveçla ka nënvizuar se në veri ka prani të shtuar të instrumenteve të sigurisë të vendit, por edhe të aleatëve si KFOR-i dhe EULEX-i, për shkak të rrezikut të destabilitet për vendimin për targat.