Sveçla: Serbët e Kosovës po detyrohen të marrin pjesë në protesta

| 01 Qer 2023 | 14:06 | Nga

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se serbët e Kosovë po detyrohen nga Lista Serbe që të marrin pjesë në protesta.

Sveçla tha se sot ata janë detyruar të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë.

“Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë. Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave”, tha Sveçla.

I pari i MPB-së shtoi se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.

“Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”, shtoi ai.

Të ngjashme