Sveçla takon tre policët e liruar, thotë se beteja ligjore për këtë rast do të vazhdojë

Prishtinë | 26 Qer 2023 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim tre zyrtarët policorë kufitarë, Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shema, të cilët ishin rrëmbyer më 14 qershor nga forcat serbe, afër vijës kufitare.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se të tre zyrtarëve policorë në seancën e sotme gjyqësore në Kralevë i’u është konfirmuar aktakuza dhe janë liruar me procedurë të rregullt, çka nënkupton se ndaj të njëjtëve do të vijojnë thirrjet dhe përndjekjet nga Serbia.

“Gjendja e tyre shëndetësore fizike është relativisht e mirë por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, thuhet në njoftim.

Ministri Sveçla, thuhet në komunikate, se shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky “rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi”.

“Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj”, thuhet tutje në njoftim.

Tre policët e liruar nga Serbia kanë mbërritur në pikën kufitare në Merdar, rreth orës 13:30.

Në kufi ata janë pritur nga zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i cili nuk ka lejuar policët të deklarohen për mediet e shumta kosovare, që po prisnin, raporton Ekonomia Online.

Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi, u kidnapuan më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.

https://ekonomiaonline.com/policet-e-liruar-arrijne-ne-merdar-kelani-i-pret-ne-kufi/

Të ngjashme