Sveçla thotë se po të ishte dënuar Dardan Krivaqa për 135 veprat penale, Marigona do të ishte gjallë

Prishtinë | 05 Gus 2023 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xehallal Sveçla, ka thënë se dënimi i Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit erdhi vetëm pasi humbi një jetë e re, raporton teve1.info

Përmes një statusi në Facebook, Sveçla ka thënë se po të dënohej më herët Dardan Krivaqa i akuzuar për 135 vepra të ndryshme penale, nuk do të vinte deri të vdekja e Marigona Osmanit.

Ai e ka akuzuar sistemin e drejtësisë për mosreagim të duhur në këtë rast.

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer.

Ndëshkimi erdhi vetëm pasi humbëm një jetë të re, atë të Marigonës. Duhet të humbte jetën e saj një nëntëmbëdhjetë vjeçare, dhe në mënyrën me te dhunshme, që sistemi i drejtësisë të ndjente peshën e krimit. Nuk pati ndëshkim për 135 veprat penale të mëhershme të Dardan Krivaqës. Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë”, thuhet në reagimin e ministrit Sveçla.

Të ngjashme