Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka vizituar pikën kufitare në Bërnjak dhe stacionin policor të policisë kufitare.
Sveçla theksoi se është takuar me disa nga zyrtarët policorë, të cilat janë ballafaquar me sulme nga strukturat ilegale.
“Sot isha për vizitë në pikën kufitare në Bërnjak dhe në stacionin policor të policisë kufitare. Me këtë rast, takova disa nga zyrtarët polico të cilët janë ballafaquar me sulme të shumta nga strukturat ilegale serbe në mbrëmjen e 31 korrikut si dhe zyrtarë të tjerë policor që po angazhohen në mbrojtje të kufirit tone. Sic kemi njoftuar, zyrtarët e kësaj pike kufitare janë sulmuar përsëri dje derisa po patrullonin në liqenin e Ujmanit”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla ka thënë se që nga viti i kaluar e deri më tani në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej kanë qenë ndaj zyrtarëve policor.
“Që nga viti i kaluar deri më tash në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej të cilave kanë qenë ndaj zyrtarëve policor. Përkundër të gjitha sfidave me të cilat po ballafaqohemi tek të gjithë zyrtarët policor pashë një vendosmëri dhe entuziazëm që në plotni të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre zyrtare. Me këtë rast, i falënderova ata për zellin e treguar deri tani dhe i inkurajova që së bashku të punojmë drejt shtrirjes së plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zonë.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjithë Qeveria e Kosovës do të jenë me qytetarët dhe me institucionet e vendit me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies të secilit veç e veç dhe të gjithëve së bashku”, shtoi ai.
Vizita nuk ka qenë e paralajmëruar për mediet, ndërsa nga fotografitë e postuara nga Sveçla në Facebookun e tij bie në sy se ai ka vënë në kokë një kasketë, paksa e pazakontë për një ministër.