Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se shefi i shërbimeve sekrete të Serbisë, ish-ministri i brendshëm, Aleksandër Vulin, mbetet një ndërmjetësues i presidentëve Putin e Vuçiq, që duhet mbajtur mend si një ndër promotorët kyçë të “Botës serbe”.
Ky reagim i ministrit Sveçla vjen pas sanksionimit të Vulin nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasditen e së martës.
Prezencën e Vulinit në “Konferencën e sigurisë” në Moskë, Sveçla e quajti “provë” të shërbimit të Serbisë si vegël nga ana e Rusisë.
“Nuk na bëhet qejfi që në pozita qeverisëse në Serbi ka kriminelë, sepse ne si Kosovë nuk dëshirojmë të keqen e askujt. Qejfi do të na bëhej po të kishim politikanë të përgjegjshëm, mendjehapur dhe të pakorruptuar te të gjithë vendet fqinj…. Vulini është vetëm njëra nga lidhjet e Beogradit me Moskën, vetëm njëri nga ndërmjetësit që bëjnë bashkë Vuçiqin e Putinin. Kohët e fundit, Vulini kishte marrë pjesë dhe në ‘konferencën e sigurisë’ të organizuar në Moskë. Kjo është thjesht prova dhe dëshmia e radhës se Serbia, për sa kohë udhëhiqet nga një politikë e pademillosheviqizuar, shërben si vegël e Rusisë për destabilizim të Ballkanit. Klika e përfaqësuar nga Vuçiqi e Vulini e aleatët e tyre janë sputnikë të Kremlinit, edhe pse vazhdimisht luajnë lojën e ‘të paangazhuarve’. Me rëndësi është dhe të kujtojmë që Vulini, i sanksionuar sot nga SHBA-të, njihet dhe si një nga promotorët kryesorë të idesë të ‘Botës Serbe’, frymëzuar nga ideja e ‘Botës Ruse’”, ka shkruar Sveçla.
Ky i fundit kujtoi edhe një deklaratë të Vulinit të dy viteve më parë, gjersa theksoi se Vuçiq mbetet i udhëhequr nga politikat e Vulinit.
“Në korrik 2021, Vulin thoshte ‘Që Bota Serbe të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht, të udhëhiqet mirë, të ketë një ushtri që është e aftë ta ruajë atë dhe serbët pa marrë parasysh se ku jetojnë. Për të ruajtur një Serbi të tillë, duhet të bëjmë gjithçka për të vazhduar politikën e Aleksandër Vuçiqit’. Ende deri më sot Vuçiqi dhe udhëheqësit e Serbisë nuk janë distancuar nga projekti kërcënues ‘Bota Serbe’, nuk janë distancuar nga Rusia, nga krimet e të shkuarës, e as nga Millosheviqi. Ata ende udhëhiqen nga politikat e proklamuara nga Vulini, që sot u sanksionua nga SHBA”, ka shkruar Sveçla.