Kandidati për kryeministër, Albin Kurti ditë më para deklaroi se gjatë qeverisjes së tij mjekët duhet të zgjedhin sektorin në të cilin duan të punojnë, pasi që do t’u pamundësohet punësimi i njëkohshëm në dy sektorët.
Por kjo deklaratë e tij ka zgjuar pakënaqësi te shumica e punëtorëve shëndetësorë.
Kryetari i Federatës Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se deklarata të tilla, të pamenduara mirë, ndikojnë negativisht në komunitetin e mjekëve.
Ai thotë se përkitazi me këtë problem Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të tyre qysh në vitin 2013, teksa idenë e Kurtit për riaktualizimin e kësaj teme po e konsideron diskriminuese, por edhe kundërkushtetuese.
“Kjo deklaratë e Kurtit me të vërtetë ka ngritur një shqetësim, sepse nuk janë pjekur kushtet të dilet me një deklaratë të tillë. Nuk është analizuar si duhet situata në komunitetin mjekësor dhe ajo çka është më e rëndësishmja nuk është analizuar Kushtetuesja. Siç e dini në vitin 2013 unë kam qenë vet pjesëmarrës në seancë si palë e interesit dhe është fituar kjo lëndë sepse është konsideruar se po dëmtohet vetëm një komunitet. Prandaj e kam thënë edhe në Gjykatë se nëse ju doni ta shkelni Kushtetutën shkeleni por e di që komuniteti mjekësor është vet populli”, thotë ai.
Kreu i FSShK-së, thotë se një vendim i tillë do të ishte i pranueshëm, nëse do të vlente për të gjithë sektorët, por jo të vlejë vetëm për mjekët.
“Prandaj nuk mund të ndash vetëm një komunitet në këtë rast mjekët dhe të tjerët të vazhdojnë. Logjika e këtij veprimi kishte me qenë e mirë sikur këtu të përfshihen edhe profesorët, juristët, ekonomistët, kontabilistët. Pra marr në përgjithësi është diskriminues. Ndoshta ka qenë edhe premtim i Kurtit edhe në fushatë por nëse hyn në analizë më të thuktë do ta sheh se është një gabim dhe është shumë herët të bisedohet për këtë çështje”, thotë ai.
Syla thotë se sistemi shëndetësor po ballafaqohet me shumë probleme dhe se nuk është momenti i duhur të flitet për penalizmin e mjekëve.
Madje iniciativat e tilla të ndërmarra nga kandidati për kryeministër, po i konsideron edhe si hipokrite.
“Së pari të thuhet sot që duhet të ndahet sistemi publik prej privatit, kur ne po ballafaqohemi nëpër disa spitale me kriza të punëtorëve shëndetësorë të mjekëve, është hipokrizi e lloji të vet. Sepse të njëjtën kohë kanë premtuar se do t’i ofrojnë shërbime pacientit. E dyta duke e pasur parasysh gjendjen financiare në të cilën sot gjenden mjekët, sepse ata kanë qenë të detyruar të mbulojnë shpenzimet e familjes. Mjeku me vite me radhë, por edhe sot jeton me 600 euro. Edhe pse tash janë rrit me ligjin për pagat, nëse do që të futet ky sistem, atëherë mjekët duhet të deklarohen”, thotë ai.
Syla thotë se përkitazi me këtë çështje kanë mbajtur edhe mbledhjen e kryesisë, ku njëzëri është kundërshtuar ideja e plasuar nga Kurti.
Shprehet i bindur se nëse kjo ide realizohet në praktikë, shumica dërmuese e mjekëve specialistë do ta braktisin sistemin publik dhe do të krijohet një kaos i vërtetë.
“Edhe në kryesi e kemi diskutuar, por edhe me mjekët që kam biseduar këto dy ditë, besomini që shumica që kanë përvojë 15 vjeçare janë deklaruar se do ta lëshojnë sistemin publik. Fakti i tretë është ekonomik. Partitë politike kanë deklaruar se do ta rrisin numrin e punëtorëve. Me këtë vendim do ta zvogëlojnë numrin e punëtorëve. Konsiderohen se janë diku 2000 ordinanca, pa i fut spitalet private, ku të njëjtit mjekë punojnë pasdite dhe imagjinoni këto dy mijë paguajnë tatim dhe secili i ka minimumi 3 punëtorë. Automatikisht prej sistemit të tatimeve dhe pagave dalin rreth 6 mijë punëtorë dhe prodhohet një krizë”, thotë ai.
Para se të merret një vendim i tillë, Syla këshillon kryeministrin dhe qeverinë e ardhshme që të ndërmerr disa hapa për ngritjen e shërbimeve shëndetësore dhe kushteve të punës.
Kërkon paga të nivelit të deputetëve, si njëri ndër parakushtet për të ndarë sistemin publik nga ai privat.
“Vlera e një mjeku duhet me tejkalua së paku parlamentarët. Kjo është pika e parë. Pika e dytë, duhet të sigurohen kushtet të cilat u duhen për të punuar në sistemin publik. Nuk janë të vetëdijshëm politikanët, se kur të hyjë në fuqi sigurimet shëndetësore ne në sistemin publik duhet të kemi kushte të barabarta në treg. Dhe elementi i tretë që është shumë i rëndësishëm. Si t’i sistemojmë mjekët që t’i ofrohen pacientit. Pra që nesër sigurimi shëndetësor të lidhë kontratë me publik dhe jo privat. Këto janë parakushtet dhe kjo është zgjidhja. Nëse këto bëhen të jeni të bindur se shumica e mjekëve do të vendosë të qëndrojë në publik”, përfundon ai.
Në vitin 2013 Gjykata Kushtetuese miratoi pretendimet se tri pika të nenit 41 të Ligjit për shëndetësi, që u kërkonin mjekëve të përcaktohen nëse duan të punojnë në sistemin privat ose publik shëndetësor, janë në mospërputhje me nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Neni 41 ka të bëjë me “Parandalimin e konfliktit të Interesit”, e pikat e hedhura poshtë nga Gjykata janë 1, 5 dhe 6.
Ky nen ishte më i debatueshmi dhe kundërshtohej kryesisht nga mjekët, sindikata e tyre dhe një grup deputetësh, prej nga u iniciua edhe procedura për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Parashtrues të kërkesës ishin 12 deputetë të Kuvendit të Kosovës të prirë nga Shaip Muja (PDK) të cilët me 20 dhjetor 2012 iu drejtuan kësaj Gjykate.
Me vendimin e vet, Gjykata Kushtetuese pjesërisht në disa pika i pat dhënë të drejtë edhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), duke kundërshtuar pretendimet e grupit të deputetëve.