U.d. i kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka komentuar ikjen e mjekëve nga vendi kohëve të fundit, duke shtuar se një gjë e tillë ka qenë shumë dëshpëruese.
Syla theksoi se tani shëndetësia nuk ka nevojë që të bëjë protesta, sepse sipas tij, vetë ikja e punëtorëve është formë e protestës.
“Lëvizjet e fundit kanë qenë shumë dëshpëruese dhe tash shëndetësia nuk ka me pas nevojë të bëj shumë greva e protesta, sepse ikja e punëtorëve shëndetësor nga sistemi publik e privat për ditë, kjo është një, ikja e mjekëve të rinj dhe infermierëve nga Kosova është formë e protestës. Po dëgjoj shpesh që do ta ulin numrin e listës së pritjeve, nuk kanë shancë, sepse nuk kemi anesteziologë, jo që s’dojmë na të bëjmë operacione. Vetëm javën e kaluar e kanë lëshuar 6 kirurgë, vetëm javën e kaluar. Për ditë po të ikë nga një mjek”, tha Syla në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Ai shtoi se Qeveria duhet t’i ftojë që të bisedojnë, pasi nuk kanë kërkuar asgjë “ekstrem”.
“Duhet të ulemi të gjithë, por pikë së pari është koha e fundit që Qeveria të na ftojë.. Edhe ne ja dijmë takatin kësaj qeverie, sa ka mundësi, s’kemi kërku ekstrem diçka”, tha Syla.