Sot janë bërë 37 vjet nga organizimi i demonstratës studentore, e cila është protesta e parë që u shtyp me dhunë nga policia dhe ushtria jugosllave.
Shemsi Syla një nga pjesëmarrësit në demonstratën e vitit 1981, në një prononcim për Ekonomia Online thotë se kërkesa kryesore e asaj demonstrate ishte që Kosova të bëhej Republikë mirëpo edhe përkundër faktit që Kosova tashmë është e lirë, nuk është Republika që ata kanë kërkuar.
“Ëndrra për të realizuar atë ideal për të cilin jemi nisur atëherë ende nuk është realizuar, dhe ne si idealist të atëhershëm kemi pasur shumë ëndrra, normal si të rinj, dhe vet ngritja jonë ka qenë realizimi i synimit përfundimtar, bashkimi i shqiptarëve në një shtet të përbashkët sepse është e drejtë legjitime, sepse jetojmë në toka tona dhe kemi gjuhen tonë, por që na është bërë një padrejtësi historike, na është copëtuar territori në copë-copë dhe kemi mbetur të pa bashkuar. Ëndrra jonë ka qenë të jemi bashkë të bëjmë një shtet të plotë, të kemi lirin e plotë, institucionet tona, shkollat tona, arsimin, kulturën që të kemi ekonominë, ushtrinë dhe të jemi një shtet i fortë përball shteteve të tjera të cilat mund të kenë apetite ndaj nesh, dhe ne jemi të gatshëm ta mbrojmë atë shtet, gjithmonë duke reflektuar ndjenja njerëzore karshi shteteve tjera, por jo të lejojmë që të na cenojnë gjithnjë, të na pushtojnë e të na mbajnë të robëruar. ky ka qenë ideali ynë. ne jemi shumë larg asaj, sepse ju e dini se pos ne që jemi çliruar kemi edhe shumë territore tjera që mbahen në Maqedoni, Serbi, Mal të zi, copëtimet në Greqi, që jetojnë populli jonë atje por si kanë as të drejtat elementare si popull”, tha ai.
Ai shtoi se kërkesat e protestuesve të atëhershëm ishin të qarta dhe mos realizimi i tyre, dërgoi deri tek fillimi i një lufte.
Një prej kërkesave kryesore ka qenë Kosova Republikë, do të thotë të bëhet e barabartë me të tjerët, siç ishin republikat tjera në Jugosllavi të bëheshim edhe ne. Kjo kërkesë ka qenë artikuluesja më e madhe e gjithë demonstratave, bile ka qenë “Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, kjo ka qenë një mesazh shumë i qartë që u deshtë me ardhë deri te lufta pasi që me protesta, regjimi jogusllavë atëherë nuk u pajtua që të shtrohet, që të hap debat që ta artikulojë kërkesën e shqiptarëve që ishin ngritur në një Republike në kuadër të Jogusllavisë, të barabartë me të tjerët. Meqenëse këtë nuk e rregulloj atëherë ,mori masa të rrepta të gjykimit, arrestimit, burgosjeve, torturave, dhunës, vrasjeve dhe erdhëm deri tek lufta e UÇK-së, me hatër nuk u bë, atëherë u dashtë me luftë”, tha ai.
Ai tha se protesta e 11 marsit ishte fillimi i protestave të tjera të cilat dhanë rezultatet të cilat i gëzojmë sot.
“Protesta e parë e 11 marsit ka qenë një protestë ngjizja e parë, dhe ka përfunduar me dhunë por që nuk e karakterizon ndonjë dinamizëm i fuqishëm siç janë tjerat të cilat kanë eskaluar pothuajse në një luftë qytetare. Pushteti jogusllav vjen edhe me armë dhe tanka që e shuan demonstrate, 11 marsi është protestë testuese por edhe mobilizuese sepse për herë të parë ne e pamë veten qe jemi të fort për të marshuar dhe për të ngritur zërin tonë lartë. dhe vërtetë ai bashkim ishte shumë emocionues, kërkesat mandej rezultati i protestës dhe ardhja deri tek protesta e 26 marsit janë momente të cilat na krijojnë rrëqethje kur i kujtojmë”, tha ai, raporton EO.