Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk janë konsultuar se si do të ndahen nga 300 euro të Pakos Emergjente të miratuar nga Qeveria.
Syla, shtoi se në Pako nuk janë përfshirë stafi teknik për të cilët tha se ndjen keqardhje ngase edhe ata janë të ekspozuar ndaj rrezikut për tu infektuar.
Ai thotë se ky simulim është keqkuptuar nga ana e Qeverisë, teksa shton se kur është vërejtur nga ana e tyre, kanë filluar me reduktime.
“Ne nuk jemi konsultuar fare se si të ndahen këto 300 euro, ku kanë ndodhur pastrim të listave të cilat kanë shkuar në dëm të punëtorëve shëndetësor në përgjithësi. Nuk po flas vetëm për mjekë dhe infermierë. Mirëpo e kanë keqkuptuar se shëndetësia funksionon si një zinxhir. Për ne sindikatën dhe për punëtorët shëndetësor që nga roja e deri te drejtori gjeneral është i rrezikuar”.
“Ka ndodhur që janë përjashtuar shumë njerëz sidomos stafi teknik për të cilin është për të ardhur keq, pastruesit dhe një pjesë e administratës sepse ata kanë punuar gjatë ditës, pastaj farmacistët të cilët kanë shpërndarë materialin. Ky simulim është keqkuptuar nga ana e Qeverisë dhe kur e kanë parë realitetin kanë filluar me reduktime. Është për të ardhur keq sesi qarkullojnë edhe disa letra që bëhet presion te menaxherët tanë”.
“Nëse duam për të punua si duhet, atëherë edhe pse s’na kanë ftuar ka qenë e thjesht le ta marrin IKShP-në dhe ata të përcaktojnë se kush është i rrezikuar nga pandemia. Të gjithë janë të rrezikuar brenda institucionit”.
Syla tregoi edhe për vizitat që i ka bërë të gjitha spitaleve regjionale duke monitoruar situatën që po ndodh brenda sistemit shëndetësor.
Ai foli edhe për të liruarit nga puna, siç janë të sëmurët mbi moshën 60 vjeçare dhe shtatzënat ata vetvetiu nuk do ta marrin nga pakoja prej 300 euro vetëm pagat e tyre, raporton EO.
“Ata që janë të liruar nga puna, siç janë të sëmurët mbi moshën 60 vjeçare dhe shtatzënat ata vetvetiu nuk do ta marrin nga pakoja prej 300 euro vetëm pagat e tyre. Reduktimi i stafit është bërë me qëllim të ruajtjes së stafit dhe ruajtjes së materialit sepse nuk ka pasur material, kjo ka ardhur urdhër nga ministria. Federata Sindikale e Kosovës insiston që të paguhen të gjithë punëtorët që janë gjatë gjithë kohës në punë”, tha ai raporton EO.
“Ne kemi hasur në një vend të punës ku dy veta punojnë njëri është simuluar ndërsa tjetri jo. Kemi raste të cilat do t’i publikojmë së shpejti. Ministria nëse nuk e kanë të qartë mos ta marrin bajrakun që të përcaktojë rrezikshmërinë dhe është IKShP-ja që duhet ta bëjë vlerësimin se kush janë të rrezikuar ose jo, atëherë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”, shtoi Syla.