Ish-prokurori Special, Sylë Hoxha, ka deklaruar se kallëzimi penal që është ngritur ndaj tij nga familja Dehari, për rastin e djalit të tyre të ndjerë Astritit, është politik dhe i paargumentuar.
Në Info Magazine u shpreh se nuk mban asnjë përgjegjësi lidhur me këtë rast, meqë thotë se ishin marrë të gjitha veprimet e nevojshme, njofton Klan Kosova.
”Ai kallëzim penal është i paargumentuar. Ai kallëzim penal, është më shumë politik dhe mediatik për të thënë se kemi bërë diçka, përndryshe s’ka asgjë në të”.
”Përveç një deklarate që kemi japë për media, që e kam lexuar në sallën e Kryeprokurorit të Shtetit, që ka qenë një mendim i ekspertit të mjekësisë ligjore, unë tjera veprime nuk kam ndërmarrë në atë rast”.
”Edhe pse ka qenë vikend, me të marrë vesh se ka ndodhur rasti, kemi shkuar bashkë me hetuesit, kemi marrë veprimet e nevojshme dhe të gjitha ato veprime që është dashtë t’i ndërmarrim i kemi ndërmarrë”.
”Përndryshe ka qenë prokurori i rastit që ka punuar në atë rast, dhe në asnjë moment nuk janë pushuar dhe ndalë hetimet në atë rast. Ndërkohë e kanë dërguar nga Prokuroria e Prizrenit në Prokurorinë Speciale rastin”.
”Unë nuk ndjejë asnjë përgjegjësi për këtë”.
”Përkundrazi mua më ka ardhë keq për rastin se ka ndodhur në institucion. Personi na ka vdekë në institucion. Nuk është si të ndodhë rasti në rrugë, si në qendër të skijimit”.
”Jam munduar dhe besoj se e kam menaxhuar mirë atë çështje”.
”Do të zbardhet e vërteta, e di që kanë çuar raste në ekspertizë e në Zvicër. Nuk e di veç mediumeve që kam dëgjuar, vet se kam pasë në dorë atë rast, por Zyra e Prokurorit të Shtetit e ka marrë përsipër atë çështje”.
”Janë nda mjete edhe nga Qeveria e Kosovës për ato ekspertiza, ato do të kryhen dhe do të përfundohet sigurisht ai rast”.