Sylë Hoxha: Të merren masa ndaj të përgjuarve

Prishtinë | 09 Gus 2016 | 19:48 | Nga

Kreu i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, është deklaruar para pak çastesh rreth bisedave të përgjuara telefonike, në të cilat lakohet edhe emri i tij.

“Edhe pse shefi jonë Aleksandër Lumezi ka thënë se s’kemi prova të mjaftueshme, megjithatë mendoj se duhet të merret dikush edhe me këtë rast”, tha Hoxha.

Ditë më parë, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se nuk ka prova të mjaftueshme për nisjen e hetimeve në lidhje me përmbajtjen e bisedave të përgjuara të zyrtarëve të lartë të PDK-së, të cilat po publikohen nga portali “Insajderi.com”.

“Nuk janë biseda aspak serioze apo të dëmshme. Mu aspak nuk më kanë dëmtu. Është lakuar emri im, për habi. Unë as kafe s’kam pi me ata persona”, tha shefi i Prokurorisë së Prizrenit.

Ai shtoi se duhet të merren masa edhe për ata që kanë folur e kanë vepruar ashtu.

I pyetur se pse mendon se është lakuar emri i tij, Sylë Hoxha tha shkurt: “Nuk e di. E dinë ata që kanë folë”.

Këto komente Hoxha i bëri pas debatit për korrupsion, në të cilin ai ishte prezent.

Prezent në këtë debat i cili u zhvillua në ambientet e Lidhjes së Prizrenit ishte edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Tema e debatit ishte “Qeverisja dhe mosndëshkueshmëria”. Debati është organizuar në kuadër të festivalit “Dokufest”, i cili sivjet temë qendrore e ka korrupsionin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme