Synimet e Përparim Ramës edhe për një mandat dhe problemet e vjetra që presin zgjidhje në kryeqytet

Prishtinë | 03 Jan 2026 | 08:00 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, synon që gjatë mandatit të tij të dytë në krye të kryeqytetit të përqendrohet në vazhdimin e projekteve transformuese, me theks të veçantë në infrastrukturë, transport urban, zgjidhjen e trafikut dhe përmirësimin e pastrimit të qytetit, duke theksuar se mesazhi i qytetarëve në zgjedhje ka qenë i qartë, e që është vazhdimi i projekteve të mëdha, paralelisht me ato të vogla, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, Përparim Rama tha se mbështetja e qytetarëve për një mandat të dytë përbën një konfirmim për të vazhduar projektet e premtuara katër vjet më parë, duke shtuar se, përkundër sfidave dhe konkurrencës së fortë, qytetarët kanë vlerësuar vizionin afatgjatë dhe projektet madhore të administratës së tij.

“Po unë i falënderoj qytetarët e kryeqytetit që ma kënë dhënë mundësinë për me vazhdu transformimin e kryeqytetit. Kjo është një informatë e qartë që kam marrë, që projektet të cilat i kemi premtuar para 4 viteve tash duhet t’i vazhdojmë normal që kemi pasë një ballafaqim mjaft të fuqishëm në pjesën e parë në projektet të cilat janë prezantu atëherë edhe nga kundërkandidatët në projekte ndoshta jo edhe të mëdha ashtu siç i kemi pasë ne, por disa që kanë qenë më bazike, disa që faktiksiht janë pjesë e procesit tonë që me ju dhënë edhe atyre dukshmëri më të madhe. Jo që nuk i kemi bërë, por vetëm nuk iu kemi dhënë rëndësi si këtyre projekteve më të mëdha dhe kjo është ajo informata që e kemi marr nga qytetarët e kryeqytetit të cilën normal do ta kem pjesë të proceseve tash e katër vite, pra vazhdimësinë e projekteve të mëdha dhe normalisht paralelisht të projekteve të vogla”, tha ai.

Ai theksoi se në qendër të këtij mandati do të jenë projektet që vendosin qytetarin të parin, duke përmendur reformat në transportin urban, investimet në arsim dhe infrastrukturë, si dhe projektet strategjike si lidhja Pallat i Rinisë–Arbëri, zgjerimi i sheshit “Xhorxh Bush”, ndërtimi i unazës së kryeqytetit dhe vazhdimi i rrugës “A”, të cilat, sipas tij, janë kyçe për zgjidhjen e problemit të trafikut dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë.

“Po ato të cilat i kemi premtu, të cilat janë transformuese që e qesin qytetarin të parin. Pra e keni parë që ne kemi bërë reforma të mëdha në transportin urban, në edukim e në aspektin e infrastrukturës jemi në vazhdimësi pra platofrma e cila ndërlidh pallatin me arbërinë që i mundëson më shumë se 30 mijë banorëve që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në zonat qendrore të Prishtinës. Pjesë tjera sheshi “Xhorxh Bush” tash vazhdimin deri te xhamia e madhe, unazën e kryeqytetit e cila jetike për kryeqytetin. Pra pa unazën e kryeqytetit edhe nuk mundet edhe me u bërë zgjidhja në kryeqytet. Këto janë projekte madhore të cilat do t’i vazhdojmë dhe të ecim përpara, poashtu vazhdimin e rrugës “A” në pjesën lindore dhe perëndimore, e cila do të ndërlidhet me unazën e kryeqytetit. Janë të gjitha procese transformuese që i ndihmojnë problemit kyc që e kemi, pra trafikut. Me zgjidhjen e këtij problemi normal që ka impakt pozitiv edhe në cilësinë e ajrit në Prishtinë e poashtu edhe në vlerën shoqërore në gjithë kryeqytetin. Këto janë ato projektet madhore të cilat ne po i shtym përpara përvec ndërtimin e shkollave që tsh janë prej 10 shkollave që kemi fillu, 3 kanë përfundu dhe 7 janë proces e sipër, përgatitjet për lojërat mesdhetare pra i kemi lojërat mesdhetare të vitit 2030 të cilat edhe kërkojnë infrastrukturë shtesë sportive me stadiumin e ri, me arenën multifunksionale të cilat janë pjesë e masterplanit të fshatit olimpik që tash e kemi të gatshëm vetëm se tash duhet mi fillu ndërtimin e këtyre objekteve. Pra gjitha këto janë procese madhore që jemi tash duke i shty përpara”, tha ai.

Rama theksoi se unaza e kryeqytetit është projekti më jetik për Prishtinën, pasi do të mundësojë decentralizimin e hyrjeve në qytet dhe do të shmangë kalimin e trafikut tranzit përmes qendrës.

Ai sqaroi se janë planifikuar disa masa shtesë, përfshirë taksën e unazës për automjetet që vijnë nga qytetet e tjera dhe zgjedhin të hyjnë në qendër, si dhe lehtësira për qytetarët që përdorin transportin publik, me qëllim uljen e numrit të veturave dhe krijimin e burimeve financiare për ndërtimin e unazës.

“Po unë ju tregova pra projektet të cila i përmenda tash reformimi i transportit urban ku ne i mundësojmë qytetarëve me pas, e kemi biletën tërëditore për me përdor autobus, linja të vecanta për autobus unaza e Kryeqytetit është kyc e përmenda, ne pa unazën e Kryeqytetit të gjitha makinat që vinë në një pikë në qendër të kryeqytetit. Pra duhet ta denctralizojmë hyrjen pra t’i kemi tetë hyrje kyce në kryeqytet që pastaj në bazë të unazës së kryeqytetit ata që vinë prej shkupit dojnë me shku në Podujevë nuk kanë nevoj me hy në kryeqytet po munden nëpërmjet unazës apo edhe në anën tjetër ata që vinë prej Mitrovicës duan të shkojnë në Prizren e të tjera por kemi me pasë qasje alternative të cilat ehde ndihmojnë kryeqytetin, pra pa pasë nevojë mu fut në kryeqytet por edhe një lidhje shtesë që do ta zbatojmë edhe taksën e unazës pra për të gjitha makinat të cilat nuk janë të Prishtinës të cilat vinë prej qyeteve tjera nëse vendosin të futen në qendër të qytetit atëherë do ta kenë taksën e unazës të kryeqytetin edhe kjo do ta ndihojmë neve që ta ndërtoj unazën e kryeqytetit. Pra kemi 140 mijë makina që hynë brenda një dite dhe një taksë bazë do të implementohet për të gjitha makinat që vinë nga jasht që nuk janë të kryeqytetit edhe kjo do të na ndihmoj edhe në implementimin e unazës së kryeqytetit po në të njëjten kohë do t’i ndihmoj edhe trafikun. Kemi marr vendim për mi liru nga pagesat e transportit urban qytetarët të cilët i marrin autobusët dhe vinë me autobus nga qytetet tjera për në Prishtinë dhe ndalen në stacion të autobusave në Prishtinë e marrin automatikisht biletën tërëditore edhe kjo është një shtesë. Pra ne ju kemi mundësu alternativa qytetarëve tjerë që nuk jetojnë në Prishtinë që vinë nga qytetet tjera, ju kemi mundësu me ardhë me autobus e jo me makina por edhe nëse vendosin me ardhë me makina mirë se ardhshin por e kemi këtë taksën shtesë që do të ndihmonte ndërtimit të unazës së kryeqytetit por në të njëjten kohë e zvogëlon e zbut intensitetin e trafikut në kryeqytet në të njëjten kohë na mundëson të kemi financa shtesë për implementimin të unazës së kryeqytetit”, tha ai.

Duke folur për problemin e mbeturinave, Rama tha se modeli aktual i pastrimit ka dështuar prej vitesh dhe se Prishtina nuk ka pasur asnjëherë nivel të kënaqshëm të pastërtisë.

Ai rikujtoi se gjatë gjendjes emergjente, përfshirja e sektorit privat kishte sjellë përmirësime të dukshme, por se, sipas tij, ndërhyrjet politike dhe krijimi i një monopoli e kanë përkeqësuar situatën.

Rama theksoi se synimi i mandatit të dytë është reformimi i kompanisë “Pastrimi” dhe rikthimi i bashkëpunimit me sektorin privat për të garantuar pastërtinë e kryeqytetit.

“Po modeli aktual varet prej kompanisë pastrimi dhe ky model ka dështu qysh moti. Prishtina asnjëherë nuk e ka pasë nivelin e pastrimit në nivel të duhur ne e dimi para dy viteve ku e kemi shpall gjendjen urgjente dhe kemi inicu procese për sektorin privat për mi ndihmu pastrimit edhe kemi pa një përmirësim të dukshëm përbrenda dy muajsh ka qenë përmirësim i dukshëm i pastrimit. Domethënë ne e kemi zgjidhjen e këtij problemi por për shkak të një opozite destruktive atëherë që pat ndodh dhe që e patën hek nenin që i lejon për me përdor sektorin privat atëherë kemi pasë monopol të një kompanie e cila politikisht ka qenë e përdorur për me lënë prishtinën në gjendje të keqe të pastrimit vetëm me pas rezultate në aspektin politikë për këto parti opozitare. Shpresoj që nuk do ta kemi këtë problem më dhe kemi një koalicion dhe po mundohemi ta bëjmë koalicionin të gjerë për të mirën e qytetarëve dhe tëë gjithëve dhe që këto probleme që i kemi pasë në mandatin e parë t’i hekim të gjitha dhe të vazhdojmë me rikonstruktimin e kompanisë ‘Pastrimi’ edhe me ndihmesën e sektorit privat për me pastru kryeqytetin. E kemi recetën kemi tregu që mundemi tash po duhet të riaktivizojmë dhe të pastrojmë kryeqytetin”, tha ai.

Në raport me bashkëpunimin me Qeverinë e re e cila do të formohet, Rama tha se kryeqyteti duhet të trajtohet me seriozitet të veçantë, duke pasur parasysh kontributin e tij në buxhetin e përgjithshëm të vendit.

Ai theksoi se projektet si unaza e Prishtinës, spitali dhe fshati olimpik nuk janë vetëm projekte komunale, por projekte me rëndësi kombëtare, dhe bëri thirrje për bashkëpunim institucional, duke kundërshtuar bllokadat politike.

“Po unë kam thënë edhe vazhdoj të them që qeveria cfarëdo që ajo të jetë duhet të reflektojë edhe duhet ta dijë që kryeqyteti nuk është vetëm një komunë tjetër. Kryeqyteti është në aspektin ekonomik paguan 49.8% të buxhetit të gjithë Kosovës edhe si rezultat duhet mu trajtu me seriozitet. Projektet të cilat ne i kemi prezantu para 4 viteve si unazën e Prishtinës, janë projekte të cilat janë të mira për gjithë vendin e jo vetëm për kryeqytetin edhe gjithë pjesëtarëve e gjitha partive dhe nuk është cështje e imja personale apo e dikujt por është për të mirën e kryeqytetit. Prandaj prap uroj të reflektoj cfarëdo qeverie që do të kemi tash të krijuar të jetë bashkëpunuese me Prishtinën edhe sepse bashkë mundemi më bë gjëra të mira dhe të mëdha, gjëra të cilat janë për të mirën e secilit e jo të bllokojnë. Pra vet kanë thënë gjatë kampanjës mjaft bllokade si të fitojmë ne do tëë vazhdojmë brenda muajsh me unazën e Kryeqytetit edhe do të vazhdojmë dhe pajtohemi që duhet dhe se nuk bën bllokada, bashkëpunojmë dhe e ndërtojmë unazën e kryeqytetit e të gjitha projektet tjera madhore si spitalin, fshatin olimpik e një mori projektesh të tjera që i duhen kryeqytetit e që tash i kemi të gatshme si projekte. Pra nuk jemi në atë fazën e para 4 vitesh kku qyteti ka qenë në rënje të lirë duke u zhbër i tëri, tash qyteti e ka një vizion të qartë, ka projekte të gatshme e shumë prej tyre që kanë përfundu dhe shumë prej tyre janë në përfundim e sipër e shumë tjera që i kemi të gatshmë për me fillu e mi zbatu 4 vitet e ardhshme. Pra nëse kemi një reflektim politik edhe një ndryshim mendësie, jo sabotimi e bllokade por prozhvillimit e bashkëpunimit nuk kam dyshim që kryeqyteti do të lulëzoj dhe jo vetëm kryeqyteti por i gjithë vendi”, tha ai.

Rama u shpreh optimist se qeveria e re e cilat pritet të formohet nga VV-ja do të ketë reflektim politik dhe fund të bllokadave, duke theksuar se transparenca dhe faktet kanë qenë arma kryesore e administratës së tij përballë kundërshtimeve.

Ai tha se Prishtina tashmë ka vizion të qartë, projekte të përfunduara, projekte në proces dhe shumë të tjera gati për t’u zbatuar në katër vitet e ardhshme, duke shprehur bindjen se me bashkëpunim politik, kryeqyteti dhe vendi do të ecin përpara.

“Po shpresoj që po sepse e kanë pa që ajo qasje është dënu nga qytetarët e kryeqytetit po edhe po them se unë jam i rizgjedhur si kryetar përkundër sfidave të shumta bllokadave të projekteve, bllokadave të buxhetit e të gjitha këto kanë qenë tentativa për me qit menaxhmentin tonë keq por ja që nuk ja kanë dal sepse kemi tregu proceset në mënyrë super transparente me fakte që kjo po ndodh dhe shpresoj që mos të ndodh më. Kjo është naive, është një mendësi i mbrapsht dhe uroj që secili politikan të reflektoj mos të mendoj në atë mënyrë bllokuese sabotuese sepse pikë së pari i bëjnë dëm vetit nëse mendoj negativisht, impakti negativ është në mirëqenien e tyre psikologjike e fizike. Ta shfrytëzojnë mundëësinë që e kanë si të zgjedhur nga populli për me bashkëpunu e punu e jo me sabotu e blloku. Besoj se do të ketë reflektim sepse shoqëria ashtu ngritet, mësojmë për fat të keq prej gabimeve, jo prej gabimeve tona jo prej gabimeve të tjerëve por kemi tash një mori informatash gjatë gjithë këtyre proceseve që të gjithë mundemi me mësu e me reflektu dhe të punojmë së bashku për të mirën e vendit tonë”, tha ai.

Të ngjashme