Kombëtarja e Shqipërisë të premten pasdite ka aterruar në Kazakistan, ku do ta luajë ndeshjen e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë pasi kanë marrë rezultatet negative në testimin për COVID-19, kanë marrë rrugën drejt Kazakistanit, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).
Shqipëria të dielën (15:00) e luan ndeshjen kundër Kazakistanit, kurse të shtunën (sot) do të mbajë stërvitjen e fundit për duelin që i takon xhiros së tretë të grupit të katërt të Ligës C, të Ligës së Kombeve, transmeton KOHA.
“Ekipi i drejtuar nga tekniku Edoardo Reja është e plotë dhe pa asnjë mungesë, sipas ndryshimeve të njoftuara ditën e djeshme. Gjithashtu janë marrë edhe përgjigjet e tamponit, ku të gjithë kuqezinjtë kanë rezultuar negativë ndaj COVID-19”, ka shkruar në njoftimin e FSHF-së.
Të dy ndeshjet e këtij muaji Shqipëria do t’i luajë në udhëtim. Tri ditë pas duelit me Kazakistanin në Almaty, Shqipëria do të përballet me Lituaninë në Vilnius. Lituania muajin e kaluar e befasoi Shqipërinë në stadiumin “Air Albania” duke e mposhtur me rezultatin 1:0. Ajo disfatë erdhi pas fitores së “kuqezinjve” në udhëtim ndaj Bjellorusisë.
Si për Kazakistanin ashtu edhe për Lituaninë, përzgjedhësi i Shqipërisë, Edoardo Reja, nuk do t’i ketë në dispozicion Thomas Strakoshën, Myrto Uzunin e Jon Mersinajn për shkak të lëndimeve. Ndërsa në momentet e fundit ekipit i është bashkuar sulmuesi i Juventusit, Giacomo Vrioni. Në Kazakistan ka udhëtuar edhe portieri Etrit Berisha, i cili pritet të jetë titullar në të dyja ndeshjet pas mungesës së Strakoshës. Berisha të mërkurën i është bashkuar Shqipërisë pasi ka siguruar lejen për të qenë pjesë e ekipit kombëtar për duelet e këtij muaji të Ligës së Kombeve. Shqipëria do të ketë mungesa të mëdha për këto dy ndeshje dhe Reja pritet të luajë me tre mbrojtës. Krahas Marash Kumbullës, pritet të aktivizohen edhe Berat Gjimshiti e Kastriot Dermaku. Dermaku ishte titullar në dy ndeshjet e muajit të shkuar dhe është shprehur optimist edhe për dy duelet e këtij muaji.