Sytë kah Danimarka për dekarbonizimin e energjisë elektrike

Prishtinë | 21 Dhj 2021 | 19:45 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës synon që përmes një marrëveshjeje me Mbretërinë e Danimarkës të përfitojë së paku 30 milionë euro investime në projekte që do të gjeneronin rrymë nga burime të ripërtërishme të energjisë.

Lidhur me këtë, Ministria e Ekonomisë e Kosovës nënshkroi të hënën një letër-pëlqim me ministrinë homologe të Danimarkës.

Për të hyrë në fuqi, marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve.

Qeveria e Kosovës e konsideron ndihmën e Danimarkës si të domosdoshme për “tranzicionin energjetik”, por kritika për mostransparencë lidhur me letër-pëlqimin japin opozita dhe ekspertë të fushës së energjetikës.

Letër-pëlqimi thekson se, nëse marrëveshja hyn në fuqi, “Qeveria e Danimarkës synon të mbështesë programe relevante dhe projekte [në lidhje me shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë] deri në 30 milionë euro, në një periudhë fillestare prej pesë vjetësh”.

“Derisa fokusi kryesor pritet të jetë në tranzicionin e gjelbër, deri në 2 milionë e 500 mijë euro pritet të dedikohen për projektet që promovojnë sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, thuhet në letër.

Pa dhënë shumë detaje të tjera lidhur me të, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tha të hënën se ky investim do të jetë i nevojshëm për realizimin e Strategjisë së Kosovës për Energjinë – dokument në të cilin Qeveria e Kosovës është duke punuar aktualisht.

“Sektori i energjisë përballet me sfida të shumta dhe kjo krizë e fundit energjetike na ka treguar edhe një herë brishtësinë e sistemit të energjisë. Synojmë që deri në vitin 2050 ta dekarbonizojmë sektorin e energjisë”, tha Rizvanolli.

Burime të ripërtërishme të prodhimit të energjisë elektrike konsiderohen: uji, era dhe dielli, përkatësisht hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet solare.

Opozita: Qeveria të jetë më transparente në diskutimet e marrëveshjeve ndërkombëtare

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nënshkruan të hënën me Qeverinë daneze edhe një letër-pëlqim tjetër, i cili ka të bëjë me dhënien e 300 qelive të burgut në Kosovë në shfrytëzim për shtetin e Danimarkës.

Zyrtarë të Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se diskutimi për këto ka nisur nga Qeveria e mëparshme e Kosovës, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Megjithatë, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë se bisedimet është dashur të jenë më transparente.

“Nuk ka qëndrim ende LDK-ja, duhet të analizohet mirë ky nënshkrim, është dashur të analizohet para se të nënshkruhet”, thotë ajo.

Për mungesë të transparencës, Qeverinë e kritikon edhe deputetja tjetër opozitare, Ariana Musliu-Shoshi, nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ne e kemi kuptuar në momentin kur ka dalë në media, sepse e dini që Qeveria nuk është transparente me ne si opozitë. Çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të bëhet në pajtim me opozitën, sepse duhen edhe votat e opozitës”, thotë ajo.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, njëkohësisht anëtare e Komisionit Parlamentar për Mjedisin, thotë se shpreson që letër-pëlqimi për investimet në energjinë e ripërtërishme të diskutohet sa më parë në komision.

Dekarbonizimi i energjisë në Kosovë, i dëshirueshëm, por vështirë i arritshëm

Qymyri është burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Por, shumë shtete të botës synojnë ta heqin nga përdorimi këtë lëndë djegëse, e cila, siç thuhet, rrit ndotjen dhe rrjedhimisht ndikon negativisht në ngrohjen globale.

Sipas të dhënave të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), kapaciteti total i gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë në vitin 2020 ka qenë rreth 1,110 megavatë në orë.

Nga kjo sasi, 86.5 për qind janë gjeneruar nga termocentralet dhe pjesa tjetër nga hidrocentralet dhe burimet e ripërtërishme të energjisë.

Fadil Ismajli, ekspert i fushës së energjisë, thotë se Kosova do ta ketë vështirë të arrijë furnizimin me rrymë nga burime të ripërtërishme, pavarësisht investimeve.

“Nëse mendojmë që prej burimeve vendore të ripërtërishme të bëjmë sigurimin e furnizimit ose të mbulojmë konsumin e Kosovës, është pothuajse e pamundur”, thotë Ismajli për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, shuma e përmendur si investim i mundshëm nga Danimarka nuk është shumë e madhe kur bëhet fjalë për investime në sistemin e energjisë.

Në matjet që bëhen vazhdimisht, Kosova shpeshherë renditet ndër vendet me ajrin më të ndotur në botë.

Egzona Shala, ambientaliste, e sheh si hap pozitiv investimin dhe interesimin e Danimarkës në çështje të energjisë së gjelbër në Kosovë.

Sipas saj, i rëndësishëm në këtë aspekt është edhe investimi në burime njerëzore.

“Kosova si shtet ka shumë nevojë për ekspertizë dhe për eksperiencë të marrë nga ekspertët, sidomos nga shtetet si Danimarka”, thotë Shala.

Ajo pranon se Kosova do ta ketë të vështirë të arrijë mbulimin total të konsumit me burime të ripërtërishme të rrymës, por thotë se energjia e gjelbër duhet të synohet në maksimum.

Kosova është zotuar se do të bëjë dekarbonizimin ose largimin nga varësia prej qymyrit me anë të nënshkrimit të Marrëveshjes në Samitin e Sofjes, në vitin 2020.

Të ngjashme