Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ende nuk është finalizuar i gjithë procesi në mënyrë që kosovarët të mund të lëvizin pa viza në fillim të vitit 2024.
Në emisionin Info Magazinë, ai ka treguar hapat që duhet të ndërmerren deri në finalizim të liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Nëse e shikoni tekstin e draftit, aty shkruan se kur të operacionalizohet sistemi ETIAS, pra jo më vonë se 1 janar 2024”.
“Pra 1 janari është më i fundit, mund të ndodh po ashtu edhe disa javë më herët, pra prapë nuk është e finalizuar për sa i përket procedurës formale sepse si çdo ligj tjetër duhet të finalizohet dhe të shpallet në gazetën zyrtare, të nënshkruhet dhe të tjera”.
“Pra do të na duhen disa hapa proceduralë. Po, ajo që na duhet është që te kemi marrëveshje politike në Këshill që është organ vendimmarrës dhe në Parlamentin Evropian”.
“Pra kur ta kemi një marrëveshje ndërmjet dy organeve, prapë duhet të shkojë në Parlamentin Evropian për t’u votuar në Komision, pastaj në sesion plenar, duhet të shkojë përsëri edhe në Këshill, e kështu me radhë”.
“Por, unë mendoj se nga perspektiva ime, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën tashmë është dakorduar”.