Ambasadorët e QUINT-it në Kosovë disa herë sivjet i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.
Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave të mëvonshme, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.
Tani Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, thotë se është koha e fundit që institucionet e Kosovës ta zbatojnë këtë vendim të Kushtetueses.
Szunyog, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, potencon se kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe gati dhjetë vjet nga vendimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, që konfirmon pronësinë e disa hektarëve të kontestuar tokë në Deçan.
“Mendojmë se është koha e fundit që institucionet e Kosovës të zbatojnë me shpejtësi dhe në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit”, tha ai për AP.
“Është qëndrimi ynë që zbatimi i aktgjykimit do të demonstronte përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, s’i një nga parimet udhëzuese të Bashkimit Evropian dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe do të kontribuonte në një ndërkomunitet shumë të nevojshëm të dialogut në Kosovë”.
Dialogu Kosovë-Serbi
Më 27 gusht, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Serbia është pajtuar që të heqë dokumentet për hyrje-daljet për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë.
Szunyog, në këtë intervistë për AP, derisa ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka shtuar se BE-ja lehtëson dialogun, por “procesi është në bashkëpronësi të dy palëve që përcaktojnë agjendën, shpejtësinë, thellësinë dhe rezultatin e diskutimeve”.
“BE-ja s’i lehtësues i dialogut po punon me të dyja palët drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, duke adresuar çështjet e pazgjidhura dhe ne presim që palët të përmbushin me shpejtësi angazhimet e tyre ndaj dialogut duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve dhe perspektivat konkrete për aspiratat e tyre në BE’’, sqaron ai.
Diplomati evropian rithekson se rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe është gjithashtu pjesë e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, që flet për dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Kur është pyetur për kritikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, ai ka thënë se pavarësia e gjyqësorit dhe prokurorisë është vendimtare për sundimin e ligjit dhe s’i e tillë është e sanksionuar në Kushtetutën e Kosovës.
“Këshilli Prokurorial dhe Gjyqësor i Kosovës luajnë një rol kyç në këtë drejtim, s’i dhe iniciativat monitoruese vendore dhe ndërkombëtare”, thotë diplomati çek, por shton se “kjo nuk do të thotë se puna e gjyqësorit dhe prokurorisë nuk i nënshtrohet shqyrtimit’’.
“BE-ja ndjek nga afër punën e institucioneve të sundimit të ligjit, si dhe ndërhyrjet e mundshme në pavarësinë e tyre, dhe ka raportuar për këtë çështje në raportet vjetore. Raporti i radhës do të dalë këtë tetor”.
‘’Sulmet ndëretnike në Kosovë’’
Rastet e dhunës ndër-etnike janë rritur në Kosovë në vitin 2021 krahasuar me vitin paraprak, por ndryshe sa ka thënë Tomas Szunyog, viktimat e këtyre rasteve nuk janë komuniteti serb, por ai shqiptar.
Me 31 maj shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë ishte në vizitë në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë. Aty kishte biseduar me banorë lokalë dhe nga biseda me ta kishte kuptuar që janë rritur rastet e dhunës.
Me t’u kthyer nga vizita, Szunyog shkroi në llogarinë e tij në Twitter se nga biseda me serbët lokalë ka kuptuar se “që nga pandemia incidentet ndër-etnike janë intensifikuar dhe duhet të adresohen”.
Por, pavarësisht të dhënave të policisë, ai prapë pohon se “ne e kemi bërë deklaratën tonë në kontekstin e rritjes së theksuar të incidenteve të sigurisë gjatë pandemisë në mbarë Kosovën, duke përfshirë edhe zonën e Vushtrrisë”.
“Natyrisht, nëse vërehet një trend i tillë i incidenteve, duhet të adresohet, dhe kemi vënë në dukje gjithashtu se puna në parandalim është çelësi i kësaj përpjekjeje”.
Njeriu kryesor i BE-së në Kosovë shton se informacioni me të cilin punojnë vjen nga burime të shumta, duke përfshirë ofruesit e sigurisë, zyrtarët komunalë dhe përfaqësuesit e komunitetit lokal.
“Duke folur për mënyrat për përmirësimin e sigurisë publike me banorët vendas në Gojbulë, ne diskutuam përmirësimet në infrastrukturën lokale, duke përfshirë dritat e rrugëve, dhe ata gjithashtu vlerësuan profesionalizmin dhe punën e mirë të Policisë së Kosovës. Përveç kësaj, fakti që kryetari Idrizi vizitoi Gojbulën, ishte një shembull i mirë dhe një pjesë e adresimit të kësaj çështjeje”.