Szunyog: Ka një trend shqetësues ku anëtarët e Qeverisë kritikojnë vendimet e gjykatave

Prishtinë | 05 Tet 2023 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka takuar kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ku u diskutua për pavarësinë e gjyqësorit dhe procesin e reformave në vazhdim.

Në njoftimin e Zyrës së BE-së, thuhet se Szunyog ka theksuar se është dëshmitar i një trendi shqetësues, ku anëtarët e Qeverisë kritikojnë vendimet e gjykatave, zhvillimin e hetimeve apo edhe prokurorët dhe gjyqtarët.

“Duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit është gur themeli i sundimit të ligjit dhe një kërkesë esenciale për çdo shoqëri demokratike, ambasadori i BE-së në Kosovë tha: “Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një trendi shqetësues ku anëtarët e qeverisë kritikojnë vendimet e gjykatave, zhvillimin e hetimeve në vazhdim apo edhe prokurorët dhe gjyqtarët individualë. Gjyqësori duhet të jetë i lirë nga presioni politik, në mënyrë që të respektohet ndarja e pushteteve dhe sistemi i kontrolleve dhe balancave”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se duke përshëndetur përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë së statistikave në lidhje me lëndët e zgjidhura gjyqësore, ambasadori i BE-së në Kosovë tha: “Statistikat e besueshme janë kruciale për të vlerësuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Ato janë gjithashtu një mjet për t’ia komunikuar publikut punën e bërë, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve në gjyqësor”.

Zyra e BE-së thekson se Szunyogu ka rikujtuar Deklaratën e nënshkruar të Përkushtimit të Përbashkët për reformat në drejtësi, e cila u mirëprit nga BE-ja. Szunyogu theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të mekanizmave ekzistues për llogaridhënien, integritetin, efikasitetin dhe transparencën e sistemit gjyqësor.

“Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për procesin e reformave në vazhdim dhe planet e investimeve në sistemin e drejtësisë me qëllim përmirësimin e qasjes në drejtësi. Në këtë drejtim, ambasadori i BE-së në Kosovë rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, duke përfshirë edhe përmes disa projekteve të financuara nga BE-ja”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme