Szunyog kërkon nga Qeveria ta heqë ndalimin e produkteve serbe në Kosovë

Prishtinë | 27 Maj 2024 | 14:56 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shef i Zyrës së Bashkimi Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që sa më shpejt ta largojnë vendimin për ndalimin e produkteve serbe që të hyjnë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Diplomati evropian, në nisje të punimeve të Forumit të Parë për Investime të Qëndrueshme, organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC), ka thënë se BE-ja është donatori më i madh i Kosovës dhe ka vënë në dispozicion asistencën financiare që Kosova të bëhet më garuese, të jetë tërheqës për investime dhe të ofrojë më shumë vende të punës.

Por, ai ka theksuar se Kosova duhet të kujdeset pë shumë për klimën e investimeve, përfshirë të punojë më afër me fqinjët e saj.

“Kosova dhe partnerët e tjerë në rajon mund të kenë dobi të madhe nga plani i zhvillimit. Për Kosovën dhe Serbinë do të ketë disa kushte shtesë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me rezultate të prekshme në përmirësimin e marrëdhënieve. Në këtë drejtim lëvizja e lirë e mallrave shërbimeve dhe punëtorëve, paraqitet më shumë në planin zhvillimor. Inkurajojmë Kosovën që të heqë sa më shpejt ndalimin e produkteve serbe në Kosovë. Investimet e qëndrueshme kërkojnë vëmendjen e të gjithëve”, ka thënë Szunyog.

Ambasadori i BE-së ka thënë se pothuajse 80 për qind e investimeve të drejtpërdrejta të huaja në Kosovë janë të fokusuara në paluajtshmëri.

Sipas tij, investimet e qëndrueshme janë diçka e domosdoshme sidomos për shkak të ikjes së trurit.

Ai ka përmendur mungesën e fuqisë punëtore si problemin akut për kompanitë kosovare.

“Pagat më të larta nuk janë të mjaftueshme, ndërkohë që njerëzit me shkathtësi duan të punojnë në vendet që janë më të zhvilluara. Duhet të përqendroheni në aftësitë tuaja. Zhvillimi i sektorit privat dhe rritja e qëndrueshme ekonomike është parakusht për përparim në pjesë të tjera të shoqërisë. BE-ja është donatori më i madh i Kosovës dhe ka vënë në dispozicion asistencën financiare që Kosova të bëhet më garuese, të jetë tërheqës për investime dhe të ofrojë më shumë vende të punës. Si reagim, Kosova duhet të përkujdeset për investitorët e vet”, ka thënë ai.

Diplomati evropian ka thënë se BE-ja është duke ndihmuar përmes projekteve IPA dhe përmes programit të tregut të përbashkët.

“Jemi të lumtur të shohim ratifikimin e programit të tregut të përbashkët nga Kuvendi, së bashku me marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Programi jep mundësi të jashtëzakonshme për fuqizimin e qeverisë së tregjeve të brendshme, mbështetjen e konkurrenshmërisë dhe mbështetjen e ndërmarrjeve”, ka thënë ai.

Szunyog ka deklaruar se plani i ri për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor do t’i sjellë partnerët, përfshirë Kosovën, më afër tregut të vetëm ekonomik.

Ai ka thënë se shtyllat e këtij plani janë integrimi ekonomik, përmirësimi i tregut ekonomik përmes rregullave dhe standardeve të BE-së, reforma thelbësore për anëtarësim në BE.

“Sustainable Investment Forum” është një mbledhje prestigjioze e liderëve të industrisë, politikë-bërësve dhe ekspertëve të angazhuar për të nxitur ndryshime transformuese drejt investimeve më të qëndrueshme. Ngjarja do të zhvillohet më 27 dhe 28 maj. Ky forum do të ofrojë një platformë për folësit e shquar për të eksploruar çështje urgjente, për të ndarë zgjidhje inovative dhe për të diskutuar strategjitë bashkëpunuese që synojnë përshpejtimin e tranzicionit global drejt investimeve të qëndrueshme, duke hapur rrugën drejt një të ardhme më të gjelbër për brezat që vijnë.

LEXO EDHE:

Të ngjashme