Kosova është përmirësuar shumë në aspektin e integritetit zgjedhor i cili nuk është vetëm detyrë e Komisionit Qendror Zgjedhor, por edhe detyrë e qytetarëve.
Kështu ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog në shënimin e Ditës Globale të Zgjedhjeve me temën: “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”, të organizuar nga KQZ.
Szunyog tha se BE është e interesuar të shoh përmirësimin e procesit zgjedhor në pajtim me standardet ndërkombëtare.
“Nuk është vetëm detyrë e KQZ-së që të sigurojnë se zgjedhjet janë të mbajtura me integritet por është edhe detyrë e qytetarëve. Integriteti zgjedhor është shumë i rëndësishëm dhe është e rëndësishme të dimë që çdo votë shkon aty ku duhet… kemi pas edhe raste kur kemi pas disa mashtrime në zgjedhje dhe kjo ka luhatur besimin e njerëzve në proceset zgjedhore dhe në sistemet demokratike. Kosova është përmirësuar shumë në këtë fushë. Më lejoni që ta theksoj se ne jemi të interesuar që ta shikojmë përmirësimin e procesit zgjedhor në pajtim me standardet ndërkombëtare. Dëshirojë ta shikoj këtë proces të përmirësuar dhe kompletuar me një ligj të ri dhe rregulla të reja“, tha ai.