Szunyog: U takon institucioneve të Kosovës të vendosin se kush ka të drejtë të kandidojë në zgjedhje

Prishtinë | 20 Jan 2021 | 19:11 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka folur edhe rreth kandidimit në zgjedhje të politikanëve të cilët janë të dënuar për vepra penale.

Szunyog ka thënë se u takon institucioneve të Kosovës të vendosin se kush mundet të kandidojë dhe kush nuk mundet të kandidojë në zgjedhjet parlamentare.

“Unë sa kam kuptuar legjislacioni është shumë i qartë janë disa faza të ankesave, kushdo që është i pakënaqur me vendimet mundet t’i shfrytëzojë ato. Unë pres që këto hapa të ndërmerren, vendimet e organeve përkatëse përfshirë edhe vendimet e gjykatave do të respektohen, kjo është diçka në përputhje me parimet e ligjit”.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës është deklaruar edhe rreth asaj se a do të punojë BE-ja, me Albin Kurtin, kandidatin për kryeministër të LVV-së, nëse bëhet kryeministër dhe më vonë kandidatura e tij hedhet poshtë.

“U takon institucioneve të Kosovës të vendosin se kujt i lejohet të marrë pjesë në zgjedhje dhe kujt i takon të jetë pjesë e Qeverisë apo institucioneve tjera. Ne jemi të gatshëm të punojmë me këdo që do të jetë në bazë të vullnetit të shprehur nga qytetarët e Kosovës”.

“Nuk shoh asnjë problem të punojmë me cilëndo Qeveri që zgjidhet në mënyrën e duhur dhe merr votëbesimin në parlament”, ka thënë Szunyog.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme