Gjatë ditës së sotme, “Let’s Do It Kosova” ka vazhduar aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” në Mushnikovë të Prizrenit dhe në Komunën e Skenderajt.
Gjatë aksionit në Komunën e Skenderajt, janë pastruar tri deponi ilegale: deponia në hyrje të Skenderajt, deponia te Tregu i Vjetër dhe te lumi “Klina”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, u ka uruar mirëseardhje vullnetarëve të “Let’s Do It Kosova”-s në këtë komunë.
“Sot kemi aktivitetin e tri deponive ilegale që do t’i largojmë nga qyteti jonë. Mirë se keni ardhë në Skenderaj!”, ka thënë ai.
Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” u ndje i emocionuar për prezencën në Prekaz, me ç’rast tha se ky vend është udhërrëfyes për të gjithë ata që mundohen të bëjnë punë të mira në Kosovë.
“Është jashtëzakonisht kënaqësi të jemi në Drenicë, në Prekaz. Është problem të mos kemi emocione të shtuara e ndjenja për atdhedashuri sepse Prekazi është udhërrëfyesi për të gjithë neve që mundohemi të bëjmë punë të mira në Kosovë. Në fakt do të duhej të ishte udhërrëfyes për të gjithë qytetarët e Skenderajt, për qytetarët e Kosovës”.
“Ne e kemi një obligim shtesë, një borxh shtesë që për hir të dëshmorëve që ta gëzojmë këtë që e kemi sot, të kujdesemi e ta ruajmë”.
Hasanaj ftoi të gjithë qytetarët e Kosovës që të kujdesen më shumë për mjedisin.
Sipas Hasanajt, kujdes i veçantë duket t’i kushtohet pastërtisë në Prekaz, sepse imazhi i Kosovës pasqyrohet goxha shumë nga ky vend.
“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët e Skenderajt, por edhe të gjithë Kosovës, që të kujdesemi më shumë për mjedisin, ta mbajmë pastër vendin tonë, sepse për këtë vend njerëzit e kanë dhënë jetën dhe ne e kemi borxh e obligim që të kujdesemi”.
“Imazhi i Kosovës goxha shumë pasqyrohet edhe prej këtij vendi të lavdishëm, mirëpo për fatin e keq këto rrugë nuk janë shumë të pastra, dhe ata që vijnë këtu dhe i shohin rrugët e papastra, e përçojnë një mesazh jo të mirë për vendin, por në fakt ne nuk jemi kështu”.