Ish-presidenti serb Boris Tadiq ka mohuar se gjatë mandatit të tij në krye të Serbisë është takuar me djalin e Presidentit amerikan, Joe Biden, Hunter Biden. Mediat amerikane kanë raportuar se Hunter Biden në vitin 2010 kishte planifikuar një takim me ish-presidentin Boris Tadiq për të investuar në Serbi.
Ish-presidenti Tadiq ka thënë se s’ka pasur asnjë takim me djalin e presidentit Biden, Hunter Biden për investime potenciale.
“S’ka pasur asnjëherë takim me Hunter Biden për investime potenciale e as s’ka marrë ndonjë informacion që ai ka qenë i interesuar për këtë gjë”, i ka thënë Tadiq Radio Evropës së Lirë, transmeton Gazeta Express.
Më 2 dhjetor, televizioni amerikan, Fox News, publikoi disa e-maila të cilat dyshohet se tregojnë se Hunter Biden, djali i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, kishte planifikuar një takim investues në vitin 2010 me Presidentin e atëhershëm të Serbisë Boris Tadiq dhe “individë financiarisht të fuqishëm”.
“Unë kurrë s’e kam takuar Hunter Bidenin”, ka shtuar Tadiq për REL.
Tadiq poashtu ka thënë se publikimi i e-mailave ishte i drejtuar kundër presidentit amerikan Joe Biden.