Shtëpia Botuese AB ART, që është njëra ndër shtëpitë botuese më të njohura në Hungari, ka botuar librin me poezi të poetit kosovar Lulzim Tafa me titull “Szokatlan ima” (“Lutje e pazakontë”).
Redaktori i këtij libri, shkrimtari i shquar hungarez, Atila Balazs, në parathënien e librit thotë se Tafa është një poet i njohur nga Kosova, poezia e të cilit lexohet kudo në botë.
“Me librin ‘Lutje e pazakontë’ lexuesit në Hungari i prezantojmë po ashtu një poet të pazakontë, i cili tanimë është një emër i njohur i poezisë jo vetëm në Evropë por edhe më gjerë. Tafa është njëri ndër përfaqësuesit kryesorë të poezisë posmoderne sot, një poet i veçantë dhe që shkruan bukur. Sapo lexon vetëm disa vargje,has në një botë të panjohur dhe e gjenveten në një univers jashtëzakonisht të bukur.Pas leximit ju do të jeni më të pasur dhe me një përvojë të paharrueshme”, ka shkruar Balazs.
Libri përmban rreth 70 poezi dhe ndahet në katër cikle.
Lulzim Tafa është njëri ndër poetët tanë më të njohur dhe më të përkthyer, poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe ka fituar shumë çmime prestigjioze ndërkombëtare në fushën e letërsisë.