Tahiri: 35 për qind e bizneseve aktive u shuan vjet nga pandemia

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se me buxhetin dhe kompetencat që kanë në dispozicion po mundohen t’i ndihmojnë qytetarët dhe bizneset e dëmtuara nga pandemia.

Ai ka thënë se sikurse në gjithë Kosovën, pasoja pati edhe te bizneset e Vushtrrisë, njofton Klan Kosova.

“Për shkak të pandemisë gjatë vitit 2020 janë shuar 35 për qind e bizneseve aktive që kanë qenë në vitin 2019. Kjo është shumë shqetësuese sepse janë humbur shumë vende të punës”.

Megjithatë, Tahiri në Info Magazine ka thënë se për të ndihmuar në rikuperimin e pasojave kanë në plan një sërë masash që edhe janë pjesë e programit qeverisës katërvjeçar. Ai këtu përmendi edhe 800 vende të reja punë në zonën ekomomike.

“Bizneset që shfrytëzojnë hapësirat publike, si dhe bizneset dhe fermerët që shfrytëzojnë pronën publike komunale do të lirohen nga pagesa me qëllimin që ky buxhet në vend se të vijë në kuletën e komunës do të vazhdojë të jetë te biznesi në mënyrë që më lehtë të përballojnë këtë krizë ekonomike edhe të mbylljes që e kemi tani. Ky propozim, që do të votohet në Kuvendin Komunal, nuk i mbulon krejt humbjet e mëdha që kanë pësuar biznesi i vogël sidomos, biznesi familjar dhe mikrobiznesi, por shpresojmë që të jetë një lehtësim. Vlera e kësaj është mbi 100 mijë euro në të hyrat vetanake të komunës që nuk mblidhen”.

Por, një lloj kompensimi i këtyre mjeteve mund të bëhet pasi Tahiri tha se janë rritur të hyrat këtë vit.

“Është një situatë vërtet pozitive kur tash do të prezantojmë edhe raportin e të hyrave për këtë tremujor dhe kemi parë që ka rritje të hyrave vetanake të komunës për rreth 124 mijë eurove në krahasim me vitin e kaluar”.

Të ngjashme