Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka pritur delegacionin e Këshillit Atlantik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Damon Wilson dhe Sarah Bedenbaugh, të cilët po qëndrojnë në një vizitë në rajon, me qëllim të përgatitjes së rekomandimeve për administratën e re të Qeverisë së ShBA-ve.
Në këtë takim, ministrja Tahiri i njoftoi të pranishmit me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, përfshirë tensionet e krijuara nga provokimet e njëpasnjëshme nga Serbia që kishin për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.
“Këto zhvillime jo të mira janë pjesë e agjendave gjeopolitike që vijnë nga vende joperëndimore dhe se përgjigja e drejtë ndaj tyre është forcimi i bllokut euroatlantik dhe mbështetja euro-atlantike për shtetin e Kosovës dhe për mbarë rajonin”, tha ministrja Tahiri, duke shtuar se roli udhëheqës i ShBA-ve në Ballkan duhet të vazhdojë me qëllim të ruajtjes së stabilitetit, paqes dhe orientimit euro-atlantik.
Ministrja Tahiri çmoi lartë përkrahjen e administratës së re amerikane dhe Presidentit Trump për përkrahjen ndaj shtetit të Kosovës dhe mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, duke potencuar se jemi të përkushtuar për vizionin euroatlantik të Kosovës dhe aleancës me SHBA-të, të krijuar në vitet e ’90-ta dhe i cili përkushtim mbetet gurthemel i politikës së jashtme të Kosovës dhe se përkrahja amerikane ka qenë përcaktues për lirinë dhe pavarësinë e saj.
Tahiri tha se Kosova do të vazhdojë të përmbushë obligimet për anëtarësim të shpejtë në BE, NATO dhe OKB, si dhe do të jetë e përkushtuar për dialog dhe fqinjësi të mirë, në mënyrë që të garantohet paqja dhe stabiliteti rajonal.
Nga ana e tij, Damon, tha se janë shumë të interesuar për të parë gjendjen në rajon në kontekstin e zhvillimeve të reja ndërkombëtare dhe për të marrë mendimet e politikanëve të Kosovës për paqen, stabilitetin dhe agjendën euro-atlantike.
Ai theksoi se rekomandimet e dala nga Kosova dhe vendet tjera të rajonit do t’ia paraqesin administratës së re të ShBA-ve, në mënyrë që të merren parasysh në analizat zyrtare që ndikojnë në formulimin e politikave për ardhmërinë euro-atlantike të Kosovës dhe rajonit. Ai tha se ka qenë iluzion që të priteshin ndryshime të mëdha në politiken e jashtme të ShBA-ve pas zgjedhjeve dhe se përkrahja për shtetin e Kosovës nga ana e ShBA-ve do të vazhdojë si më parë.