Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu e ka pranuar se në muajt e parë të këtij viti ka pasur kompani që kanë funksionuar pa licencë në shit-blerjen e energjisë elektrike në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Më tej, ai ka thënë se nuk është i sigurt nëse akoma nuk funksionon një e tillë, megjithëse sipas legjislacionit në fuqi është e ndaluar dhe dënohet rëndë.
I pyetur nga shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, cili ka qenë importi dhe eksporti i energjisë gjatë muajit mars, Fejzullahu është përgjigjur vetëm për vlerën financiare, por jo edhe atë të megavatëve.
“Gjatë muajit mars kemi pasur 13 milionë euro import, 8.7 milionë euro eksport. Por të dhënat për megavat nuk i di” ,ka thënë Fejzullahu.
Tahiri ka thënë se pikërisht këtu është problemi.
“Ngritja e çmimit të energjisë elektrike ka qenë e paarsyeshme. Ne dyshojmë që pikërisht nuk ka pasur arsye të ngritet çmimi i energjisë elektrike për shkak se konsumi është mbuluar nga prodhimi vendor. Çmimi i prodhimit vendor nuk ka lëvizë, ndërsa ne jo vetëm që paguajmë me tarifa të shtrenjta energjinë por ndajmë edhe subvencion”, ka thënë Abelard Tahiri.
Më tej, ai i ka kërkuar të dhëna të detajuara shefit të ZRRE-së, në lidhje me importin gjatë muajve janar, shkurt, mars, prill, koha kur Kosova i ka ndarë 110 milionë euro subvencionim.
“Sa kemi importusr megavat dhe a ka qenë e arsyeshme ngrijta e çmimit të energjisë elektrike? Na i sillni në megavat për muajt e parë të vitit, deri ta ndarja e subvencioneve. Kush ka qenë propozuesi për të ndarë Qeveria 110 milionë euro? Më e rëndësishmja është sponsorizimi i këtij vendimi. Ai e bartë përgjegjësinë kryesore. Kush e ka sponsorizuar këtë kërkesë të tillë i cili pastaj është shndërruar në veprim” ka thënë Tahiri.