Në prag të ndërrimit të motmoteve, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe ai i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kanë vizituar Shërbimin e Zjarrfikësve në Prishtinë.
“Ne deshëm të vijmë që ju ta ndieni përkrahjen e institucioneve”, iu tha Sefaj, zjarrfikësve në detyrë, raporton Ekonomia Online.
Të dy ministrat u kanë uruar zjarrfikësve festën e Vitit të Ri, të cilët sonte po e presin larg familjeve, në gatishmëri për të reaguar në ndonjë rast të mundshëm.
Sefaj lka thënë se i di nevojat dhe kërkesat e zjarrfikësve dhe ka premtuar angazhim që të zgjidhen ato.
“Unë i di problemet që i keni. Së bashku me ju, gjatë vitit të ardhshëm do të punojmë që të rregullojmë kushtet e juaja”, tha ministri i Brendshëm.
“Zjarrfikësit duhet të konsiderohen heronj. Reagimi juaj shpëton jetë“, u shpreh ai.
“Vërtet ju bëni një punë të jashtëzakonshme, e rrezikoni jetën. Qyteti i Prishtinës, ashtu edhe qytetet e tjera, janë menaxhuar kaq mirë prej juve. E ne si qeveri nuk kemi bërë aq shume me ua rregullu kushtet”, u shpreh ministri i Drejtësisë, Tahiri.