Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se vendimi i Komisionit për shuarjen e Agjencisë për Efiçencë të Energjisë është vendim absurd i kësaj Qeverie, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, ai ka thënë se në Projektligji për racionalizimin e agjencive, rekomandon që të shuhet Agjencia për Efiçencë të Energjisë.
Postimi i plotë i tij:
Edhe një vendim absurd, Qeveria vendos ta shuajë Agjencinë për Efiçencë të Energjisë
Në kohën kur i gjithë globi po angazhohet për efiçiencën e energjisë dhe bën programe specifike në këtë temë, Qeveria e Kosovës, sot, ka sjellë një ligj për racionalizimin e agjencive, ku rekomandon që të shuhet Agjencia për Efiçencë të Energjisë.
Kundërthënia bëhet edhe më e madhe, ngase e gjithë agjenda e Qeverisë lidhet me konceptin e efiçencës. A mund të tregojë dikush se si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë? Në veçanti, duke e ditur se kriza energjetike dhe koncepti i energjetikës është kah thellohet.
Vendet përkatëse, kanë paraqitur masat e subvencionimit, nisur nga paisjet efiçente të ngrohjes, lëndëve djegëse, ulja 3-4 gradë e temperaturave në Austri në rrjetet e ngrohjes qendrore, e deri tek ndërrimi i shiritave izolues të dyerve dhe dritareve.
Në esencë qeveria e vendit duhet të diskutojë rikthimin e ministrisë së energjisë, e lëre më të shuhet një agjenci, që qëllimin e vetëm e ka efiçencën e energjisë.
Në Komision për Administratë Publike e kundërshtova këtë Ligj.