Tahiri: Hoti është rreshtuar në anën e krimit e korrupsionit, po merr vendime politike për t’ia hapur rrugën këtyre dukurive

Prishtinë | 20 Tet 2020 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar lidhur me shuarjen e Task-forcës anti-korrupsion në Policinë e Kosovës.

Tahiri përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se kryeministri Avdullah Hoti pas shkarkimit të drejtorit të Policisë, Rashit Qalaj, ka shuar edhe këtë task-forcë.

Sipas tij, Hoti në vend se të hartonte politika që luftojnë krimin e korrupsionin, është rreshtuar hapur në anën e krimit e korrupsionit, duke marrë vendime politike për t’ia hapur rrugën këtyre dukurive.

Postimi i plotë i Tahirit:

Pas shkarkimit të Drejtorit të Policisë Rashit Qalaj, për të cilin e dimë të gjithë se nuk ka pasur një agjendë të dytë përveç zbatimit të ligjit, gjë që e ka treguar në vazhdimësi e së fundmi edhe duke goditur grupet kriminale në Karaçevë, Kryeministri Hoti ka shuar edhe Task Forcën Kundër Korrupsionit brenda Policisë së Kosovës.
Në vend se të hartonte politika që luftojnë krimin e korrupsionin, Avdullah Hoti është rreshtuar hapur në anën e krimit e korrupsionit, duke marrë vendime politike për t’ia hapur rrugën këtyre dukurive.
Shuarja e Task Forcës Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës, një mekanizëm me profil që hetonte veprat në kuadër të Prokurorisë Speciale, është goditje jo vetëm për sistemin operativ por edhe për besimin që kanë qytetarët në rend dhe ligj.
Kryeministri është dashur ta dijë se në vend është duke ndodhur një proces i Rishikimit Funksional të sektorit të rendit dhe ligjit, i cili, pas analizave, matjeve dhe testimit të zgjidhjeve më të mira, do të rekomandonte strukturim e shuarje të mekanizmave ku mendohet se ka nevojë. 

Të ngjashme