Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se ekonomia e Kosovës është para fundosjes, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se çmimi i rrymës nuk do të duhej të shtrenjtohet sërish, sipas paralajmërimeve, sepse një rritje e tillë do ta bankrontonte shtetin.
Përveç kësaj, në një konferencë për media, Tahiri komentoi edhe ekspozitën për masakrat.
Sipas tij, Kuvendi po kalon skandal pas skandali dhe se ka një mungesë përgjegjësie e institucioneve që kanë dhënë dritën e gjelbërt për shfaqjen e ekspozitës
“Kjo situatë ku Kuvendi vazhdon të kalojë prej një skandali në një skandal. Pra, sot kemi marrë me folë për rritjen e çmimeve, që është një situatë ekstremisht e rëndë dhe brengosëse, mirëpo ne nuk mundemi me shku në temë për shkak se kjo qeveri, ky pushtet, është duke prodhu skandal pas skandali. Është totalisht e pakuptueshme se si i përvidhen, se si shteti dështon, dështon Qeveria e Kosovës, dështon Kuvendi i Kosovës, dështon ministria përkatëse dhe mbështet një ekspozitë e cila në esencë ka pasaktësi që ndërlidhen me të drejtën historike të Kosovës, pasaktësi të dhënave të cilat i demanton burimi. Pra burimi i informacionit këto nuk janë të dhënat e mia do të thotë largone këtë ekspozitë. Dhe në anën tjetër, secili institucion në këtë pushtet mundohet me ik prej përgjegjësisë. Mundohet me ik prej përgjegjësisë Lëvizja Vetëvendosje duke thënë që ‘ne e kemi përjashtuar autorin’ nga Lëvizja Vetëvendosje, nga zyra e Kryeministrit. Mundohet me ik nga përgjegjësia qeveria, ministria e linjës thotë ‘jo, ne nuk dimë për këtë konkurs’. Dhe në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës, i cili e ka financuar, po ashtu mundohet me ik nga përgjegjësia. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe grupi parlamentar kërkon që kjo temë të trajtohet seriozisht. Ne i kemi dërguar një letër kryetares së Kuvendit, letër e cila buron nga disa aktivistë që kanë kërkuar nga shefat e grupeve parlamentare që t’i adresojnë disa tema që lidhen me transparencën, me procesin, në mënyrë që të dimë mirëfilli dhe ta dimë ku është burimi i vërtetë i një situate e cila fillimisht i ka goditë viktimat, njerëzit që kanë vuajtur në burgun e Dubravës, pastaj e ka prekë historinë, dhe pastaj i ka përvillë në këtë proces i ka përfshi edhe institucionet e Kosovës, në këtë rast institucionin më të lartë që është Kuvendi i Kosovës”, tha Tahiri.
“Herën e kalume kemi folë për tema që ndërlidhen me naftën. Sot do të flasim për tema të cilat burimin e kanë raportet kredibile të institucioneve të Kosovës, këtu të ekonomisë së Kosovës. Të nderuar gazetarë, të nderuar qytetarë të Kosovës. Kjo është rritja vjetore e bruto produktit vendor nga viti 2010 deri në vitin 2025. Shikoni domethënë ku ka qenë rritja, shikoni ku është rritja në vitin 2025. A ju kujtohet që qeveria e Kosovës, ministrat, zëvendëskryeministrat, kryeministri thojshin që Kosova e ka rritjen ekonomike më të madhe në rajon? Kush është duke gënjyer këtu? Të dhënat empirike, apo ata që pretendojnë që vendi më i varfër në rajon e ka rritjen më të madhe ekonomike? Kjo tregon për indikatorë bukur seriozë të cilët lidhen me këtë temë. Kur flasim për çmimet e konsumit dhe goditjen e tregut. Ajo që dua t’ju them është se rritja e çmimeve të konsumit është goditje jashtëzakonisht e madhe për qytetarin e Kosovës, por diku-diku është edhe për tregun. Pse? Qytetarët e Kosovës normal kur janë çmimet e larta blejnë më pak. Çka nënkupton prodhim ka më pak. Çka nënkupton ekonomi ka më pak. Dhe çka nënkupton se bizneset janë duke u përballur me ulje të qarkullimit dhe me rënie të shitjes dhe rritje të stokut se s’ka para me ble, sepse çmimet janë të larta. Dhe kur flasim për çmimet e kostos jetësore, duke u nisur nga çdo gjë që ne kemi në shtëpi si produkt ditor, një botë e papërballueshme për secilin qytetar, për ata njerëz që janë në punë, e lëre më për ata që jetojnë me të ardhura nga socialiteti, nga skemat sociale”, tha Tahiri.
