Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, duke kërkuar sqarime të detajuara lidhur me financimin dhe organizimin e ekspozitës me të dhëna të pasakta mbi luftën në Kosovë.Në letrën e tij, Tahiri thekson rëndësinë e rritjes së transparencës dhe forcimit të llogaridhënies ndaj qytetarëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për përdorimin e mjeteve publike në iniciativa që lidhen me çështje të ndjeshme të historisë dhe kujtesës kolektive, transmeton IndeksOnline.
Ai kërkon që institucionet përkatëse të ndërmarrin disa hapa konkretë, si të ofrohet një sqarim i plotë dhe i detajuar për shumën e mjeteve financiare të ndara për realizimin e ekspozitës, të bëhen publike data e shpalljes së thirrjes për aplikim dhe kriteret mbi të cilat është zhvilluar procesi i përzgjedhjes, dhe të publikohet numri i organizatave që kanë aplikuar dhe të sqarohet se cila institucion apo komision ka qenë përgjegjës për përzgjedhjen e përfituesve.Sipas Tahirit, transparenca në menaxhimin e mjeteve publike është thelbësore për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore.