Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Arian Tahiri iu është përgjigjur akuzave që gjatë takimeve mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza me kryeministrin Albin Kurti nuk kishin propozuar emra të përveçëm, raporton Ekonomia Online.
Tahiri thotë se po keqinterpretohet çështja, ashtu qysh Lëvizja Vetëvendosje dëshiron.
“Po përgjigjem shumë konkretisht te çështja e propozimit të emrave, për shkak se e kam parë që është duke u bërë politikë dhe duke u keqinterpretuar në mënyrën dhe në qasjen siç ata e dëshirojnë. Por realiteti ka qenë – dhe publikisht ne jemi deklaruar, por edhe në takime dhe në komunikime mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe zotëri Kurtit, të cilat janë të dokumentuara. Pra, ne kemi thënë që duhet të pajtohemi për procesin, në mënyrë që të arrihet konsensusi, të ruhet dhe të ketë diversitet institucional. Vazhdimisht, kur është zgjedhur presidenti, ka pasur konsensus. Kjo është edhe arsyeja pse kërkohen 2/3 e votave”, tha ai,
Tahiri ka shpjeguar edhe idenë pse kanë kërku që knadidati dhe kundërkandidati për president të jetë nga PDK.
“Ideja ka qenë që kandidati dhe kundërkandidati të propozohen nga PDK, në momentin që zotëri Kurti është pajtuar që kandidati dhe kundërkandidati të propozohen nga PDK. Pastaj ka qenë faza që ne t’i propozonim emrat dhe jo t’i impononim emrat. Pra, t’i propozonim emrat dhe t’i diskutonim bashkërisht se kush do të ishin emrat më të mirë që do t’i bënin nder presidentes së Kosovës nesër dhe që do ta përfaqësonin Kosovën. Ky ka qenë qëllimi: të pajtohemi për procesin në mënyrë që të ruhet diversiteti dhe emrat të jenë të propozuar nga PDK. Pse kandidati dhe kundërkandidati? Për shkak që të mos mund të imponohet një zgjedhje vetëm me vota, sepse ne e kemi ditur fuqinë që kanë LVV, PDK, LDK, AAK dhe forcat e tjera politike në Kuvendin e Kosovës. Pra, të arrihej kushti minimal që të jenë dy të propozuar dhe madje të përcaktohej për cilin do ta jepnim mbështetjen, dhe sot Kosova do të kishte president. Por ata – po del se derisa ne kemi folur për procesin – ata kanë propozuar emra. Në datën 11 të natës e kanë propozuar Andin Ukshin Hotin, dhe të nesërmen, më 12, gjatë ditës e kanë kandiduar dhe e kanë proceduar për Kuvend Glauk Konjufcën. Kjo është tërësisht qasje jo serioze, edhe me procesin dhe me vullnetin e sinqertë për t’i dhënë vendit institucione dhe për ta zgjedhur presidentin”, tha Tahiri.
