Drejtori i Inspeksionit në komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, thotë se subjektet politike të cilat janë dënuar gjatë fushatës zgjedhore për mos respektim të masave parandaluese të Covid-19, po tregohen hipokrite duke mos paguar gjobat e shqiptuara ndaj tyre, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket buxhetit, Drejtoria e Inspeksionit nuk shpenzon, pra nuk ka linjë të caktuar buxhetore për shpenzime, mirëpo ne inkasojmë të hyra për shkak të gjobave që i shqiptojmë çdo ditë dhe deri tash inkasimi është në nivel të duhur për shkak se pjesa më e madhe e palëve nguten që ta bëjnë pagesën në afatin dy javor që është për shkak se marrë parasysh legjislacionin e kundërvajtjes, nëse paguhet brenda dy javëve paguhet vetëm gjysma e shumës”, theksoi Tahiri.
“Kësisoj nuk kemi probleme në inkasim të gjobës, përjashto disa subjekte politike të cilat janë gjobitur gjatë kësaj fushate të fundit dhe të cilat janë treguar hipokrite në fushatë po tregohen njësoj edhe më tutje duke mos i paguar gjobat, mirëpo secila prej atyre gjobave siç kemi thënë është proceduar te përmbaruesi dhe do të inkasohet në formë tjetër”, shtoi ai.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Tahiri tregoi për vështirësitë që ka pasur kjo drejtori dhe sektorët e tjerë, duke pasur parasysh se i është shtuar një angazhim i ri, ai i mbikëqyrjes së masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit.
Tutje ai tha që shumë prej punëve të planifikuara gjatë vitit të kaluar kanë mbetur mbrapa si pasojë e pandemisë.
“Në kuadër të drejtorisë tonë janë tre sektorë, është ai i rendit komunal, sektori i cili mbulon më së shumti fusha lidhur me parregullsitë që ndodhin nëpër Prishtinë, përfshirë edhe transportin qoftë të njerëzve por edhe të mallrave, është sektori i ndërtimit dhe gjithashtu edhe sektori i pylltarisë që kujdeset për ruajtjen e pyjeve publike brenda territorit të kryeqytetit”, u shpreh Tahiri.
“Sigurisht se në vitin e fundit kemi pasur më shumë vështirësi, duke e pasur parasysh që edhe pse kemi një numër shumë të vogël të stafit në secilin sektor, këtij stafi i është shtuar si angazhim i ri edhe mbikëqyrjen e masave për parandalim të shpërndarjes së virusit, dhe kësisoj shumë prej punëve të cilat i kemi pasur të planifikuara gjatë vitit të kaluar me to kemi mbetur mbrapa dhe shumë prej lëndëve të cilat nuk kanë kërkuar trajtim urgjent janë vonuar edhe në kthimin e përgjigjeve gjithmonë duke e pasur parasysh angazhimin e vazhdueshëm që e kanë pasur inspektorët me edhe pa orar gjatë këtij viti”, tha ai.