Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, priti sot në takim njoftues ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, të cilit i uroi mirëseardhje duke shprehur dëshirën për bashkëpunim të ngushtë në dobi të thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ajo falënderoi shtetin e Italisë për përkrahjen e shtetit të Kosovës në të gjitha periudhat e rëndësishme, duke theksuar se përkrahja e Italisë për Kosovën në rrugën e lirisë dhe pavarësisë dhe tani drejt zhvillimit shtetëror euroatlantik, është një vlerë historike në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ministrja Tahiri foli edhe për prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës që kanë për qëllim të ofrojnë një qeverisje efektive duke forcuar sundimin e ligjit, promovuar zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale si dhe të forcojë partneritetin me shtetet aleate ndërkombëtare për vitalitetin e Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur, si dhe me theks të veçantë në angazhimin drejtë agjendës evropiane dhe euroatlantike.
Në vazhdim, ministrja Tahiri foli për dialogun për fqinjësi mes Kosovës dhe Serbisë si dhe e njoftoi ambasadorin se sot ka filluar zhbllokimi i marrëveshjeve pas një viti bllokade nga Serbia, meqenëse sot është arritur pajtimi për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e Urës së Mitrovicës, që do të realizohet nga ana e BE-së.
Ajo po ashtu tha se ka lëvizje pozitive për marrjen e kodit shtetëror telefonik për Kosovën nga ana e ITU-së, dhe shprehu shpresën se Bashkimi Evropian do të arrijë ta zhbllokojë zbatimin e marrëveshjes për funksionimin e pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT).
Ambasadori Piero Cristoforo Sardi ka vlerësuar lartë dialogun e Brukselit për fqinjësi në dobi të integrimit evropian për të dyja vendet dhe paqen e stabilitetin në rajon. Ai tha se Italia e mbështet fuqishëm shtetin e Kosovës dhe integrimin euroatlantik të saj.
“Jemi të përkushtuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve edhe në të ardhmen në të gjitha fushat me interes të përbashkët”, theksoi ambasadori.