Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i shqetësuar për raportet në mes qeverisë dhe komunave duke thënë se asnjëherë s’kanë qenë më të dobësuar në raport me projektet kapitale dhe investimeve që duhen bërë.
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme të kuvendit, ai tha se investimet kapitale në komuna duhet të trajtohen në bazë të kritereve që janë në ministri të Financave, dhe nëse nuk ndodh kështu, bllokada do të jetë me efekte të mëdha.
“Kam një shqetësim i cili vjen nga pushteti lokal, i cili vjen nga komunat e Kosovës. Investimet kapitale, projektet kapitale dhe raportet në mes qeverisë dhe komunave s’kanë qenë asnjëherë më të dobësuara në raport me projektet kapitale dhe investimeve që duhet të bëhen në komuna. Janë dy çështje të mëdha. E para, qeveria duhet urgjentisht që në procesin e rishikimit të buxhetit të adresojë kërkesat reale të komunave të Kosovës. Ajo që dihet deri tash është se investimet kapitale në komuna janë të bllokuara dhe njëkohësisht procesi i buxhetimit për vitin 2023 duhet të jetë shumë më transparent dhe s’duhet të ketë qasje politike”.
“Sipas informatave që i kemi nga kryetarët e komunave që ne si subjekt politik i udhëheqim, projektet që janë dorëzuar në ministri s’kanë asnjë përgjigje, asnjë reagim ndaj ministrive të linjës. Investimet kapitale në komuna të trajtohet në bazë të kritereve që janë në ministri të Financave, dhe nëse nuk ndodh kështu, bllokada do të jetë me efekte të mëdha”, tha Tahiri.