Shefi i Grupit të Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka bërë thirrje deputetëve të pushtetit që ta sjellin në Kuvend projektligjin që ka të bëjë me tërheqjen e mjeteve nga Trusti, si lehtësim ekonomik për qytetarët e vendit, raporton Ekonomia Online.
Këtë deklaratë Tahiri e bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit kur u caktua seanca e ardhshme parlamentare.
Ai tha se deputetët e shumicës e dinë që sa e rëndësishme është tërheqja e mjeteve të Trustit.
“Tema e dytë ka të bëjë me trustin. Kërkesa në kryesi është e qartë; silleni ligjin për trust sa më shpejt në seancë parlamentare, pasi tani deputetët e shumicës e dinë, e kuptojnë se sa e rëndësishme është që kontributdhënësit, të punësuarit t’i tërheqin paratë e tyre në këtë krizë. Kjo është kërkesa jonë”, shtoi ai.