Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë për librat ka qenë goditja e fundit për arsimin në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se do të bëjnë çmos që ta rrezojnë këtë qeveri, sepse ajo “krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë”.
Tahiri ka pasur kritika edhe për mungesën e mazhorancës në seancën e jashtëzakonshme, ku pritej të diskutohej për furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët.
Siç tha ai në një konferencë për medie, sesioni vjeshtor është dashur të fillojë me diskutimin për tekstet shkollore, por kjo nuk ndodhi për fajin e VV-së.
“Besoj që nuk ka gjë më të arsyeshme sesa sot të hapej sesioni vjeshtor për një çështje e që e prek ardhmërinë e vendit tonë dhe që prek rreth 210 mijë nxënës. Pra janë e ardhmja jonë dhe ju po e shihni që tani e tutje nuk ka asnjë gjë të vetme që kjo legjislaturë të vazhdojë punën. Janë duke e degraduar punën në çdo rrafsh”.
“Goditja e fundit është goditja që i dhanë arsimit, dhe ata nuk u turpëruan nga ne që nuk erdhën në seancë por u turpëruan nga prindërit e nxënësit sepse kjo ishte e tmerrshme atë që e dëgjuam në konferencë për medie. Ne do të bëjmë çmos që këtë legjislaturë ta dërgojmë në shtëpi sepse kjo legjislaturë krijon shpenzime në kurriz të qytetarëve dhe nuk bën asnjë punë të mirë”, u shpreh Tahiri.
Tutje Tahiri ka thënë se si parti do të bëjnë kallëzim penal ndaj ministres Nagavci.
Ai ka bërë thirrje që edhe prindërit të ndjekin një rrugë të tillë.
“Ne do ti bëjmë kallëzim penal ministres së arsimit sepse është përgjegjëse direkte për privimin e 210 mijë nxënësve duke mos realizuar një kompetencë të saj ligjore, privimin nga librat. Ne do t’i bëjmë një kallëzim penal ministres në këtë rast dhe në anën tjetër i bëjmë thirrje i thirrje gjithë prindërve që të ushtrojnë kallëzim penal në baza të tyre private për privimin e fëmijëve të tyre për tekste shkollore”, tha ai.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se shumica parlamentare sot ka ikur nga përgjegjësia. Sipas saj, ikja e parë është nga ministrja Nagavci, e cila nuk ka arritur të përmbush obligimin e saj ligjor.
“Një qeveri e cila me vite, qoftë se kur ka qenë në opozitë deri sot kur është me mandat ka thirrur për barazi të qytetarëve të Kosovës në procese të shumta. Në fakt elementin kryesor të barazisë, e që lidhet me edukimin sot e ka shpërfill dhe e ka shkelur që në fillim vitin shkollor. Në emër të barazisë në emër të zhvillimit, kryeministri Kurti bashkë me ministren Nagavci, kanë thelluar pabarazinë dhe aspekte materiale. Dua ta theksoj që parat të cilat janë marr shtesë për ti blerë tekste mësimore dhe librat janë para, të cilat një pjesë e tyre janë të buxhetuara për digjitalizim. Arsimim në Kosovë është larg digjitalizimit sepse edhe ato para që kanë qenë për digjitalizim janë blerë tekstet shkollore”, tha ajo.
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati tha se kjo qeveri është e specializuar për të bërë kaos, ku shtoi se në krye të Ministrisë së Arsimit është një ministre mediokre.
“Në krye të MAShT-i kemi një ministre mediokre e cila është simbol i mediokritetit të përgjithshëm që ka kjo qeveri. Këta kanë filluar me qëndrimin se 500 mijë euro më shumë na kanë kthyer ofertën shtëpitë botuese dhe krejt kjo ka qenë e planifikuar. Atëherë nëse është ashtu pse është shpallur tenderi më herët. Këta janë kontradiktor, këta janë konfuz dhe kjo i karakterizon këtë qeveri”, tha ai.
