Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ndarjen e kodit telefonik +383 nga ITU-ja e ka vlerësuar si arritje të madhe, duke thënë se Kosova do të përfitojë miliona euro, si dhe do të rritet kualiteti i shërbimeve telefonike.
Tahiri për këtë ka falënderuar shtetet e BE-së, veçanërisht Gjermaninë. Ndërsa ka shtuar se Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me ITU-n që të shuhen të gjitha kodet tjera, raporton Ekonomia Online.
“Kosova do ta ketë vetëm një kod dhe do shuhen të gjitha kodet e tjera ekzistuese. Më në fund do të identifikohemi me kodin tonë në të gjithë botën. Kështu do të shuhen të gjithë operatorët ilegal të Serbisë në Kosovë dhe thirrjet me këtë shtet dhe shtetet tjera do të jenë ndërkombëtare”, ka shtuar ajo.
Tahiri gjithashtu bëri të ditur se përveç operatorëve ilegal, edhe prefiksët e operatorëve legale do zëvendësohen me +383, duke mbetur kështu ekzistues vetëm prefiksi +383 dhe asnjë tjetër brenda territorit të Kosovës.
Gjithashtu, Tahiri bëri të ditur se tani do vendoset edhe kufiri frekuencor, ku do të hapet mundësia që vendi ynë të hyjë në trendët ndërkombëtare digjitalizo-re.
Të parën e Dialogut nuk e pengon vendosja e fusnotës në kodin Telefonik +383, përkundrazi ajo e ka vlerësuar si të dobishme, e cila ka mundësuar që shumë vende ta njohin Kosovën.
Ajo nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve përkitazi me murin në veri të vendit, duke thënë se për këtë çështje mund t’i drejtohen zyrës së saj.