Tahiri: Konfiskimi i pasurisë do t’i dërrmojë të korruptuarit

Prishtinë | 21 Gus 2019 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kanë vizituar Depon Qendrore të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, në të cilën gjenden asetet e konfiskuara dhe të sekuestruara nga ana e institucioneve të sistemit të drejtësisë. 

Komunikata e plotë:

Konfiskimi i pasurisë së paligjshme ka qenë dhe do të mbetet prioritet themelor edhe në të ardhmen dhe instrument kryesor në luftën tonë kundër korrupsionit. 

Vlera e aseteve të konfiskuara dhe sekuestruara deri më tani ka arritur rreth 40 milionë euro.

Gjithë kjo është arritur falë miratimit nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës të Ligjit të ri për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, dhe vendosmërisë së kryetarit Veseli për angazhim dhe mbështetjen e tij për prioritizimin e kësaj agjende jashtëzakonisht të rëndësishme për institucionet e rendit dhe ligjit.

Konfiskimi i pasurisë së paligjshme ka qenë hallka më e dobët e sistemit të drejtësisë, por falë politikës së re që kemi shtyrë përpara, sot është duke u bërë dhe do të bëhet edhe më tej, hallka kryesore për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ka qenë përkushtimi i im si Ministër i Drejtësisë dhe mbështetja vendimtare e Kryetarit të Kuvendit, Veseli që ta shtrojmë me prioritet një politikë të re e shumë më të fuqishme në fushën e konfiskimit të pasurisë së paligjshme. 

Efektet e zbatimit të Ligjit të ri po vërehen dukshëm dhe që nga hyrja në fuqi në fillim të vitit 2019 kjo politikë e re mundësoi konfiskimin e secilës pasuri të fituar nga aktiviteti kriminal.

Me ligjin e ri, kemi hapur front të ri kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Grupet kriminale dhe të korruptuarit jetojnë duke shfrytëzuar pasurinë e fituar me krim e korrupsion prandaj nuk është e mjaftueshme vetëm kapja dhe ndalimi i tyre por edhe konfiskimi i secilës pasuri të paligjshme. Me konfiskimin e pasurisë, do t’i dërrmojmë ata, kudo që janë, si në sferën e biznesit, politikës apo veprimtarisë kriminale. 


Të ngjashme