Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka takuar sot juristët eminent nga Këshilli i Evropës të cilët po qëndrojnë në Kosovë, Dr. Thomas Markert dhe Dr. Sia Spiliopoulou Åkermark.
Kështu ka bërë të ditur vetë Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Në takim me juristët eminent, Dr. Thomas Markert dhe Dr. Sia Spiliopoulou Åkermark nga Këshilli i Evropës të cilët janë duke qëndruar në vendin tonë për të vlerësuar vendin tonë në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se Kosova e ka vendin në KE si dhe qytetarët e saj e meritojnë të kenë qasje në instrumentet e këtij institucioni.
“Në takim theksova se Kosova për nga aspekti legjislativ është vend që ka sistem të avancuar të promovimit të vlera të të drejtave të njeriut, demokratizimit dhe sundimit të ligjit. Rruga jonë e ndërtimit të shtetit është e bërë në bashkëpunim të plotë me BE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare. Në fund konkludova se Kosova e ka vendin në këtë institucion, qytetarët e saj e meritojnë të kanë qasje në instrumentet e Këshillit të Evropës”, është shprehur Tahiri.