Para mbajtjes së seancës konstituive, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë, duke e akuzuar për neglizhencë ndaj halleve të qytetarëve dhe për favore ndaj familjarëve të këshilltarëve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
“Çdoherë i kemi respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nëse na pëlqejnë apo jo. Në radhë të parë, mendoj që Kosova e meriton një qeveri që trajton mirëqenien dhe hallet e qytetarëve. Në krye të detyrës kemi disa njerëz që nuk mendojnë për hallet e qytetarëve, përkundrazi, u kanë vendosur lakun në fyt bizneseve që mbajnë barrën kryesore në sektorin privat. Jemi këtu për ta dërguar këtë qeveri në shtëpi dhe për të sjellë një qeveri që është në krye të detyrës dhe që arrin t’i trajtojë problemet e qytetarëve.”
Ai shtoi se perspektiva në vend po hapet vetëm për njerëzit e afërt të pushtetit dhe paralajmëroi përpjekjet e opozitës për të sjellë një qeveri të re, që sipas tij, do të jetë më afër qytetarëve.
“Perspektiva e këtij vendi është duke u hapur për vëllezërit dhe motrat e këshilltarëve të kryeministrit Kurti. Sot, perspektivë kanë familjarët e tyre, jo qytetarët. Ne si deputetë, fakti që jemi çdoherë këtu dhe kundërshtojmë, besoj se tregon që jemi në krye të detyrës. Më e keqe se kjo bllokadë është nëse arrin të bëhet përsëri kryeministër Kurti.”
