Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Kosova qëndron më së keqi në rajon në mesataren e pagave.
Sipas Tahirit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur tashmë të marrin masa të shpejta për t’u përballur me zhvillimet që po prodhohen nga ikja e punëtorëve.
Teksa sipas tij, në rajon ka rritje të pagës mesatare, Qeveria e Kosovës dhe ministri Murati, përveç koeficientit të përcaktuar 105 euro, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë.
“Aktualisht, paga mesatare në rajon është: Kosova 504 euro, apo rritje prej 60 euro; Maqedonia e Veriut, 705 euro apo rritje prej 201 euro; Serbia – 763 euro, apo 226 euro, Mali i Zi – 792 euro apo 66 euro dhe Shqipëria – 900 euro, apo 641 euro.Përderisa këta numra tregojnë për rritjen e pagës mesatare në rajon, Qeveria e Kosovës dhe Ministri Murati, përveç koeficientit të përcaktuar 105 euro, nuk ka ndërmarrë asnjë masë”, ka shkruar ai.
Tutje Tahiri tha se rritja e koeficientit në 129 euro duhet të shqyrtohet me urgjencë sepse siç tha ai, rrezikojmë që vitet pasuese të jenë goditje e rëndë për ekonominë tonë, në veçanti për punëtorët.
“Me urgjencë duhet të shqyrtohet rritja e koeficientit në 129 euro në administratë publike siç kemi propozuar ne si AAK dhe të merren masa të shpejta për pagën minimale sipas amandamentit tonë që e kemi propozuar në Komisionin për Buxhet. Në rast se ne presim, e që liberalizimi po ndodhë në një periudhë kur vendet evropiane, në veçanti Gjermania, ka rritur kontingjentin nga Ballkani Perëndimor, rrezikojmë që vitet pasuese të jenë goditje e rëndë për ekonominë tonë, në veçanti për punëtorët. Veproni mos fleni se shkuam poshtë!”, shkroi tutje ai.