Tahiri: Kurti nuk mund ta pengojë lirimin e burrave që e sollën lirinë e popullit tonë

Prishtinë | 13 Dhj 2025 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në krye me Albin Kurtin se nuk i doli në krah Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij të cilën po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.

Megjithëkëtë, Tahiri thotë se Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk mund ta pengojë lirimin e tyre, ndonëse mund të përpiqet sipas tij të pengojë financimin e mbrojtjes së tyre.

“Kryeministri Kurti mund të përpiqet ta pengojë financimin e mbrojtjes për çlirimtarët tanë, por kurrë nuk do të mund ta pengojë lirimin e tyre. Sot jemi në Shkup, nesër kudo tjetër, deri në lirinë e plotë të heronjve tanë të luftës dhe të paqes”, ka shkruar Tahiri.

Po ashtu Tahiri këtij shkrimi ia ka bashkuar edhe një video, të cilën e fillon me zgjedhjet e duke thënë se shumëkush ka besuar se Kurti do t’i dilte në krah Thaçit në përballjen e tij me akuzat në Speciale.

“Jemi në prag të zgjedhjeve dhe para se të votojmë një gjë duhet ta kujtojnë të gjithë. Shumëkush ka besuar se Qeveria e Kosovës nën drejtimin  Albin Kurti do të duhej të ishte e para që t’i dilte në krah Hashim Thaçit dhe shokëve të tij në këtë betejë të padrejtë në Hagë. Por ndodhi e kundërta Qeveria zgjodhi heshtjen dhe indiferencën në vend të mbështetjes së nevojshme për çlirimtarët tanë. Kryeministri Kurti le të përpiqet të ndalojë dhe pengojë financimin por kurrë nuk do të mund ta ndal dhe ta pengojë lirimin e burrave që i sollën lirinë popullit tonë”, deklaron Tahiri në videon e publikuar në rrjetin social të tij “Facebook”.

Të ngjashme