Tahiri: Kurti të lërë fjalimet me rima, të marrë masa konkrete për zbutjen e krizës me çmime

Prishtinë | 15 Mar 2022 | 13:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në debatin parlamentar lidhur me rritjen e çmimeve në vend, ka shprehur shqetësimin e AAK-së lidhur me paaftësinë e Qeverisë për të menaxhuar situatën për shkak të rritjes së çmimeve.

Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti ta lërë retorikën boshe e ta sjellë sa më shpejt në Kuvend Ligjin e Pagave, t’i përshpejtojë veprimet në rritjen e pagës minimale, të ulë vlerën e akcizës së naftës dhe të bëjë subvencionimin të veprimtarive që prodhojnë produktet bazike.

“Qytetarët e Kosovës janë duke u ballafaquar me rritje enorme të çmimeve, përderisa Qeveria e Kosovës nuk ka marrë ndonjë masë për të zbutur sado pak gjendjen, gjë që shkaktoi huti dhe frikë tek secili qytetar”.

Në seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka theksuar se në këtë valën e ngritjeve enorme të çmimeve, ka mosreagim të Qeverisë për këtë temë.

Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti “t’i lërë fjalimet me rima” e të ndërmarrë masa konkrete që qytetarët ta përballojnë sa më lehtë krizën e shtrenjtimeve.

Ai ka marrë si shembull Shqipërinë, e cila ka intervenuar duke miratuar “Paketën e Rezistencës Sociale” në vlerë 3,3 miliardë lekë.

Ndërkohë edhe fqinji tjetër i Kosovës, Maqedonia e Veriut ka ulur TVSH-në për produktet ushqimore, si dhe akcizën për derivatet e naftës, si dhe një së masash të tjera.

“26 masa i ka marrë Maqedonia e Veriut… Qeveria e Kosovës asnjë masë konkrete për të përballuar krizën e shtrenjtimit”.

“Ne jemi të vetëdijshëm që rritje e çmimeve, është një trend botëror, por ne kërkojmë llogari nga një qeveri që ka fituar mbi 50 për qind të votave, e cila nuk ka marrë asnjë masë”.

“Si grup parlamentar kërkojmë që të ndërmerren masa konkrete që e prekin qytetarin e Kosovës, që e prekin njeriun e varfër, e secilin individ që është prekur nga kjo krizë”.

Tahiri theksoi se AAK-ja është e shqetësuar me paaftësinë e Qeverisë për të menaxhuar situatën për shkak të rritjes së çmimeve.

“Rekomandimet tona për Qeverinë janë: që sa më shpejtë ta sjellë në Kuvend Ligjin e Pagave, t’i përshpejtojë veprimet në rritjen e pagës minimale, të ulë vlerën e akcizës së naftës dhe të bëjë subvencionimin e veprimtarive që prodhojnë produktet bazike”.

Të ngjashme