Tahiri-Kurtit: Mashtrues i sofistikuar, dëshiron të mos diskutohet për dështimet e tij

Prishtinë | 14 Gus 2024 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, teksa e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “mashtrues të sofistikuar”, ka thënë se diskutimet për Urën e Ibrit po bëhen qëllimisht që të mos diskutohen në publik “dështimet e tij katërvjeçare”.

Në një shkrim në Facebook, Tahiri ka thënë se përderisa po flitet për hapjen e Urës mbi Ibër në Mitrovicë, Kosova “është një shtet totalisht i izoluar në rrafshin ndërkombëtar e i bllokuar në rrafshin e brendshëm, ku askush nuk mund të bëjë një rrugë 30-të kilometërshe për secilin drejtim si: Podujevë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan apo kudo pa i planifikuar, të paktën dy orë rrugë”. Sipas Tahirit janë mbi 2500 biznese që janë në bllokadë në vendpunimet e këtyre rrugëve.

Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti edhe për procesin e subvencionimit me libra shkollorë, duke thënë se po shtypet e drejta elementare e qytetarit. Ka thënë se ekonomia është buzë kolapsit e sektori publik është me pagën më të ulët në nivel rajonal e më gjerë.

Sipas Tahirit, Kurti e ka hapur vetëm një urë – “atë të Saradranit”.

“Ai po donë që këtë popull me lidhë me një shtyllë afër urës dhe çdo ditë të na tregojë se a është lyer ura, a mund të kalojë një kamion, a foli me komandantin e KFOR-it apo jo. Shihni përtej kësaj, ky është një mashtrues i sofistikuar, i cili po e përmbyllë mandatin e tij me një sukses të vetëm – urën e Saradranit. Po e përmbyll mandatin duke e shkelur secilin zyrtar publik, duke e shtypur secilin zë të lirë, si në media ashtu edhe në shoqëri”, ka shtuar ai.

“Këto janë problemet e tij, nëse doni të qëndroni të lidhur te ura, rrini aty, por Kosova është ka shkon poshtë dhe buzë shkatërrimit në nivelin më të ulët të marrëdhënieve ndërshtetërore me ShBA-në dhe vendet e BE-së. Pra, mashtruesi i sofistikuar don me na mbajt të lidhur për ure!” ka përfunduar shkrimin Tahiri.

Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti përsëriti qëndrimin e Qeverisë për planin për hapjen e Urës mbi Ibër duke thënë se plani s’është kundër askujt. Partnerët ndërkombëtarë kanë kritikuar Kosovën duke e cilësuar planin si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.

Edhe KFOR-i ka thënë se çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të merret në dialog. Një ditë më parë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u shpreh se ekziston rrezik me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë. Sipas tij, kjo mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Të ngjashme