Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet sa më shpejt për të diskutuar datën e zgjedhjeve, raporton Ekonomia Online.
Sipas Tahirit, Kosovës i duhet një qeveri e re, e cila e nxjerr vendin nga sanksionet, e jo një qeveri me “një të tretën e saj nën hetime për afera korruptive”.
Në seancën plenare, ku u shqyrtua Projekt-rezoluta për adresimin e gjetjeve të Raportit të DASH-it, Tahiri ka thënë se asnjë qeveri më parë nuk ka bërë rezistencë më të madhe për të themeluar komisionet hetimore për aferat korruptive, sesa Qeveria Kurti.
“Një e treta e kësaj Qeverie janë nën hetime për afera korruptive. 5 ministra të kësaj Qeverie dhe një zëvendëskryeministre dhe zëvendësministre të dënuar nga kapitulli i veprave për korrupsion. Pra, e gjithë kjo situatë në vendin tonë që është krijuar si rezultat i kësaj qeverisje me nivel të lartë të korrupsionit. Kjo e dëshmon edhe një herë atë që kemi kërkuar në vazhdimësi si PDK”.
“Ky kuvend duhet që të mblidhet dhe të diskutojë datën e zgjedhjeve. Ky kuvend është shndërruar edhe në një barrierë për të mbrojtur të korruptuarit në vendin tonë. Asnjëherë nuk ka pasur një qeveri që bën rezistencë më të madhe për të themeluar komisionet hetimore për aferat korruptive”.
“Këto i kanë dhënë një goditje të madhe imazhit tonë ndërkombëtar. Pra, ju bëj thirrje që sa më parë ta kemi konsensusin, ta shpërndajmë këtë Kuvend dhe ta dërgojmë në zgjedhje. T’i japim vendit një qeveri që e nxjerr vendin nga sanksionet”, ka thënë ai.